Dhunë, shtyrje, sharje e vandalizëm nëpër rrugët e Shkupit.
E gjithë kjo si revoltë kundër propozimit francez.
Protestuesit sulmuan shtëpinë ligjvënëse.
Të maskuar arritën të kalojnë gardhin mbrojtës dhe sulmuan i policët me gurët e betonit që i nxirrnin nga rruga.
Përveç sulmeve te drejtpërdrejta ndaj policisë, protestuesit dhunuan edhe disa institucione, duke thyer e dëmtuar ndërtesën e Kuvendit dhe Ministrisë së Jashtme.
U lënduan 47 policë, ndërsa 11 protestues u arrestuan, 2 prej të cilëve adoleshentë.
Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski bashkë me zëvendësin e tij Nazim Bushi në mëngjes vizituan policët e lënduar.
Spasovski tha se ngjarja e mbrëmshme i ngjante 27 prillit.
“Formë e tillë e dhunës së organizuar, është rast që na e kujton 27 prillin.
30 njerëz të maskuar me kapele në kokë shkaktuan gjithë këtë prishje të rendit, sulm ndaj institucioneve dhe sulm ndaj policëve”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Kryetar i Kuvendit Talat Xhaferi në Facebook publikoi dëmet e shkaktuara brenda hapësirave të Kuvendit, duke dënuar ashpër dhunën e mbrëmshme ndaj tempullit të demokracisë.
“Pasojat nga tërbimi i djeshëm para Kuvendit. E njoh dhe mbështesë të drejtën e çdokujt për protestë, për shprehjen e qëndrimit. Vazhdimisht dhe fuqishëm e dënoj huliganizmin, dhunën, nxitjen e urrejtjes, sepse ato nuk janë zgjidhje”, pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
E për shkak të situatës së tensionuar, Presidenti Stevo Pendarovski, mbrëmë anuloi edhe një intervistë televizive.
“Intervistën në TV21 e anuluam për shkak se përreth televizionit që gjendet në afërsi të Kuvendit ishte vendosur një regjim i posaçëm i qarkullimit”, tha Stevo Pendarovski, president.
Ministri i Brendshëm Spasovski tha se ka informacione që edhe sonte do të ketë protesta të dhunshme.
“Një pjesë e grupit që duan të demonstrojnë, përgatisin edhe koktej molotovi, që do të kishin për qëllim dëmtimin e objekteve vitale. Dua edhe një herë të apeloj që të heqin dorë nga ideja e tillë. Nuk do të lejojmë në asnjë rast që të cenohet jetë, ose ndonjë objekt vital”, theksoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Nga OBRM-PDUKM thonë se dhuna e mbrëmshme ishte e inskenuar nga pushteti.
Shtojnë se pas njerëzve të maskuar qëndrojnë Spasovski dhe Zeçeviq.
“Dhuna para Kuvendit është vepër e instalimeve policore të LSDM-së dhe Oliver Spasovskit. Kjo nuk është vepër e popullit e as e OBRM-PDUKM-së, por e instalimeve policore të pushtetit të cilët me shkaktimin e incidenteve dhe eskalim të situatës duan që në mënyrë të shpejtë t’i kalojë tradhtia”, tha Dragan Kovaçki, deputet i OBRM-PDUKM-së
Nga OBRM-PDUKM përsëri bëjnë thirrje për protesta para Qeverisë, për të vazhduar më pas te Ministria e Jashtme dhe në fund para Kuvendit.