Deri në fund të vitit mund të finalizohet marrëveshja e BE-së dhe Maqedonisë së Veriut për Fronteks

Maqedonia

Deri në fund të vitit mund të finalizohet marrëveshja e BE-së dhe Maqedonisë së Veriut për Fronteks

Më: 19 korrik 2022 Në ora: 19:55
Foto ilustrim

Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së sqarojnë se pas kompromisit me Bullgarinë, zhbllokimi i marrëveshjes së Fronteks me Maqedoninë e Veriut do të trajtohet si prioritet.

Maqedonia e Veriut e inicioi këtë marrëveshje me BE-në në vitin 2018, por ndërkohë Fronteks (gjegjësisht Agjencia Evropiane e Kufirit dhe Bregdetit që “mbron kufijtë e BE-së”) ka pësuar disa ndryshime legjislative dhe ligjore, të cilat tani duhet t’i nënshtrohen rinegocimeve në BE që të përditësohet marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për të qenë në përputhje me modelin që vlen për të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Procedura zhvillohet sipas nenit 218 të Kartës së BE-së.

Ndryshimet kryesore që do të bëhen në marrëveshje i referohen, ndër të tjera, lejes për vendosjen e agjencisë në vendet jashtë BE-së, mbikëqyrjes së kontrabandës së emigrantëve, mbrojtjes dhe monitorimit të zgjeruar të të drejtave themelore të njeriut, veçanërisht pasi kjo agjenci iu nënshtrua shumë skandaleve lidhur me trajtimin e oficerëve të saj kufitarë ndaj refugjatëve dhe emigrantëve në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Ky model i ri i Fronteks duhet të integrohet në marrëveshjen e përditësuar me Maqedoninë e Veriut, e cila kërkon që Komisioni Evropian të rekomandojë fillimisht fillimin e negociatave dhe Këshilli i BE-së (vendet anëtare) të japë dritë të gjelbër për ato negociata.

Pritet që Komisioni Evropian të nxjerrë së shpejti rekomandimin dhe Këshilli të japë dritë të gjelbër për negociata. Burimet e AIM-së në Komisionin dhe Këshillin nuk duan të spekulojnë për data, por shpresojnë që nga vjeshta deri në fund të vitit marrëveshja të finalizohet dhe më pas të ratifikohet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat