Maqedonia e Veriut shpall gjendjen e krizës energjetike për 30 ditë

Maqedonia

Maqedonia e Veriut shpall gjendjen e krizës energjetike për 30 ditë

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 21:03

Maqedonia e Veriut ka shpallur gjendjen e krizës energjetike për 30 ditë për shkak të mungesës së furnizimit me energji për ngrohje në qytetin e Shkupit dhe furnizimit me energji elektrike në të gjithë vendin, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Të dy vendimet do të hyjnë në fuqi më 1 shtator 2022.

Komisioni qeveritar i ngarkuar për monitorimin e situatës me furnizimin me energji elektrike dhe për ngrohje do të analizojë dhe vlerësojë kushtet në tregjet e energjisë elektrike duke filluar nga data 1 shtator dhe do të propozojë masa në përputhje me dekretet që rregullojnë kërkesat për shpalljen e gjendjes së krizës, sipas deklaratës.

Prej 1 shtatorit hyjnë në fuqi edhe masat për kursimin e energjisë elektrike, në bazë të të cilave institucionet qeveritare detyrohen të ulin faturat e energjisë elektrike deri në 15 për qind. Nga ana tjetër qytetarëve dhe sektorit privat i rekomandohet të kursejnë sa më shumë energji. Pjesë e masave është dhe ndërprerja e ndriçimit të fasadave në institucionet publike dhe në monumentet kulturore.

Në nëntorin e vitit të kaluar, qeveria shpalli një gjendje krize 30-ditore për shkak të vështirësive në furnizimin me energji elektrike të shkaktuara nga ndërprerjet e prodhimit dhe mungesës së burimeve shtesë për prodhimin e energjisë elektrike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat