Taravari do të takohet me Kovaçevkin, nuk dihen arsyet e takimit, por supozohet të jetë hyrja e ASh-së në Qeveri

Maqedonia

Taravari do të takohet me Kovaçevkin, nuk dihen arsyet e takimit, por supozohet të jetë hyrja e ASh-së në Qeveri

Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 13:18
Foto ilustrim

U.d kryetar i Aleancës për Shqiptarët sot në mesditë do të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, njoftojnë nga partia. Nga aty bëjnë të ditur se takimi do të mbahet në Qeveri, pas së cilës Taravari do t’u drejtohet mediave, transmeton Portalb.mk.

Nuk ka informacione për temat e bisedës mes Taravarit dhe Kovaçevskit, e as për arsyet e takimit.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se negociatat e Aleancës për Shqiptarët për hyrjen në Qeveri janë sekret publik dhe se për këtë flitet me javë të tëra

Megjithatë, ky takim  vjen në një kohë kur në periudhën e kaluar një pjesë e mediave, të cilat iu referuan burimeve partiake, publikuan informacione për hyrjen e mundshme të Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar. Sidoqoftë pretendime të tilla u mohuan nga kryeministri Kovaçevski.

Tema e hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar doli në opinion në fund të shtatorit, kur ishte Taravari ai që tha se nëse i vjen një ofertë, partia do ta shqyrtojë.

Pas deklaratës së Taravarit, kryeministri Dimitar Kovaçevski më 7 tetor deklaroi se nuk kanë biseduar për një opsion të tillë, por tha se duhet të diskutohet për çdo mbështetje të mundshme të Qeverisë së tij.

Në ndërkohë, në Kuvend u mbajt takimi i liderëve i iniciuar nga kryeministri Kovaçevski, ku të pranishëm ishin liderët nga pothuajse të gjitha partitë parlamentare. Lideri i Lidhjes Demokratik (PLD), Pavle Trajanov, pas mbledhjes së kryesisë tha se një parti me tetë deputetë pret të hyjë në Qeveri, aq sa ka Aleancë për shqiptarët.

Taravari, nga ana tjetër, pas mbledhjes së kryesisë nuk ka dashur të komentojë për një opsion të tillë.

Kryeministri Kovaçevski përsëriti qëndrimin e tij një javë më parë se aktualisht nuk diskutohet për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët  në Qeveri, por tha se i vjen mirë që qëndrimet e qeverisë për të ardhmen e vendit kanë mbështetjen e kësaj partie.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat