Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka bërë të ditur se kërcënimet që i janë bërë Aeroportit të Shkupit të premten, kanë rezultuar të rreme, prandaj edhe është rikthyer orari i fluturimeve.
Në orët e mëngjesit nuk ka pasur fluturime nga Shkupi, derisa ato që e kanë pasur destinacion kryeqytetin maqedonas e kanë devijuar udhëtimin.
Përveç aeroportit, kërcënime për bomba ka pasur edhe në disa objekte tjera: hotele, qendra tregtare, në 15 shkolla fillore dhe të mesme, në kopshte fëmijësh dhe qendra të ndryshme sportive.Si pasojë e këtyre kërcënimeve është evakuuar edhe hoteli “Aleksandar Palace”, ku ka qenë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe zyrtarë tjerë të Qeverisë.
“Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, nga punonjësit e policisë janë marrë masa për evakuimin e sigurt të objekteve dhe po kryhen kontrollet antiterroriste si dhe masat për zbardhjen e rasteve”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Alarme për vendosje të bombave ka pasur edhe ditën e mërkurë në 49 objekte të arsimit dhe institucioneve tjera shtetërore, por edhe në qytete tjera si në Kumanovë, Kavadar, Shtip dhe Manastir.