Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka ripërsëritur qëndrimin e tij për një front të përbashkët politik pro-europian. Ai ka bërë thirrje për reflektim, duke u bërë bashkë partitë shqiptare dhe ashtu të bashkuar të dalin para bashkëqytetarëve dhe partive maqedonase, për t’i bindur ato se ky shtet është i përbashkët, përcjell KlanM.
“A është ky moment i rëndësishëm që ne të reflektojmë dhe të mendojmë pak më larg dhe në qoftë se merremi seriozisht për të shërbyer njerëzve, të ardhmes, t’i nderojmë ata të cilët kanë derdh gjak e djersë për këtë vend duhet të ndalemi dhe të mendojmë se a është ky moment i rëndësishëm “Bashkë për në Europë”? Si do jemi bashkë për në Europë ne kur jemi 5, 6 apo 7 parti politike, a është ky moment që ta ndërtojmë ne bashkë një front për në Europë dhe ta shkurtojmë rrugën e anëtarësimit, të dalim me një thirrje, apel edhe për bashkëqytetarët tanë se ky shtet është i përbashkët. Autonominë bashkëqytetarët tanë maqedonas nuk mund ta kenë më të fortë se bashkë me bashkëqytetarët e vet shqiptarë”, deklaroi Ahmeti nga Gostivari.
SIpas tij, BDI angazhohet për një Maqedoni sa më të fortë e të integruar.
“Ashtu siç jemi në NATO të jemi edhe në Bashkimin Europian dhe pse të mos ndërtohet kjo aleancë pikërisht në këtë moment, dobiprurëse shumë për ne jo vetëm si shqiptarë, por për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Anëtarësimi në Bashkimin Europian të përafron standardet, të siguron jetë më të mirë, të kushtëzon të përmbushish standardet para se të anëtarësohesh. Po punove me zemër dhe besim nuk ka gjë që nuk arrihet”, ka theksuar Ahmeti.
Ahmeti tha se parashikimet për në vitin 2030 mund të shkurtohen nëse politika i bën detyrat e shtëpisë. Këto detyra, sipas Ahmetit, duhen bërë jo si kërkesë e ndërkombëtarëve, por si nevojë e brendshme, për të ndërtuar një shoqëri e administratë pa korrupsion. Ai sërish bëri thirrje për veting.