N.P. “Rrugët e Maqedonisë“ ndryshon uniformat dhe largon gjuhën shqipe!

Maqedonia

N.P. “Rrugët e Maqedonisë“ ndryshon uniformat dhe largon gjuhën shqipe!

Më: 28 janar 2023 Në ora: 18:23
Foto ilustrim

“Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë“ fundin e vitit të kaluar e ka shënuar me një skandal regresiv që uniformat e vjetra i ka zëvendësuar me uniforma të reja që në fakt bashkë me uniformat e reja ka sjellë edhe probleme të reja.

Në realitet çështja e mos respektimit të gjuhës shqipe nuk është problem i ri sepse daton më herët, por në rastin në fjalë është problem i ri pasi uniformat e vjetra ishin pa këtë problem, respektohej gjuha shqipe në kuadër të ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, edhe pse me gabime drejtshkrimore në zbatim. Drejtori i kësaj Ndërmarrjeje është Konstadin Acevski, ish deputet i LSDM-së në legjislaturën e kaluar, e që tashmë një vit është në krye të këtij institucioni. E pikërisht gjatë mandatit sa Acevski ishte deputet është votuar edhe nga dora e tij ligji për Përdorimin e Gjuhëve në vitin 2018, por që tani i njëjti vetëm nga pozicioni i drejtorit nuk e respekton ligjin që e ka votuar ky personalisht dhe e gjithë partia e tij LSDM. Megjithatë, komoditeti i mos respektimit të gjuhës shqipe nuk vjen vetvetiu por edhe nga “gjumi dimëror” në të cilin ka rënë Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, që as nuk inspekton e aq më pak të dënojë në kuadër të mekanizmave që i posedon.

Kujt i pengoi gjuha shqipe në uniformat e N.P. “Rrugët e Maqedonisë” ?

Në vend atë avancimit në këtë institucion po ndodhë e kundërta, kemi kthim mbrapa me probleme katastrofale. Gjuha shqipe ishte në uniformat e të punësuarve në këtë ndërmarrje, por me prurjen e uniformave të reja në të cilat u ndryshua edhe emri i ndërmarrjes nga N.P. “Rrugët e Maqedonisë”, në “N.P. për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e rrugëve kryesore dhe rajonale”, bashkë me këtë u ndryshua edhe gjuha shqipe, në fakt nuk u ndryshua por u avullua dhe u largua tërësisht, e pse ndodhi kjo nuk dihet ende dhe realisht nuk po kërkon askush llogari për këtë as institucionet që janë të obliguar ligjërisht të përkujdesen për zbatimin e gjuhës shqipe.

Këto janë uniformat e reja, me emrin e ri të Ndërmarrjes si dhe vetëm në një gjuhë atë maqedonase, duke e larguar gjuhën shqipe ashtu siç figuronte në uniformat e vjetra.

Ende mbetet enigmatikë shkaku i ndryshimit të uniformave dhe largimi i gjuhës shqipe nga uniformat. Sidomos në kohën kur bëhen përpjekje maksimale për rikthimin e dinjitetit të gjuhës shqipe edhe në Kushtetutë, Ndërmarrja në fjalë vlerëson që nuk duhet të ekzistojë gjuha shqipe më në këto uniforma, e kjo është shkelje e ligjit si dhe shprehje e hapur të paragjykimeve për komunitetin shqiptarë në vend, si dhe diskriminim klasik.

Uniformat e vjetra në të cilat Ndërmarrja kishte këtë emër dhe ishin në dy gjuhë, edhe pse me gabime drejtshkrimore të paktën vërehen përpjekje drejt zbatimit, por tani më as me gabime e as pa gabime nuk gjendet askund mbishkrimi në gjuhën shqipe në uniformat e kësaj Ndërmarrjeje.

Përmes kësaj fotoje dëshmohet si kanë qenë mbishkrimet në uniformat e N.P. “Rrugët e Maqedonisë” në dy gjuhë ashtu edhe si e kërkon ligji për Përdorimin e Gjuhës. Por, për zbatimin e këtij ligjit ekziston edhe një institucion i posaçëm që është Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, e që për ironi ky institucion udhëhiqet nga një shqiptar tjetër, Fatmir Iseni, i cili nuk po i shfrytëzon mekanizmat inspektuese dhe ndëshkuese të institucionit që po e udhëheq.

Çfarë punë bënë N.P. “Rrugët e Maqedonisë” ?

Kjo Ndërmarrje ka më shumë detyra dhe obligime, mes të cilave janë kujdesi i rregullt gjatë kushteve dimërore të rrugëve magjistrale dhe regjionale, projektim i objekteve më të vogla në rrugë, asfaltimin e akseve më të vogla si dhe mbylljen e gropave, projektimin, përpunimin dhe rregullimin e sinjalizimit horizontal dhe vertikal të rrugëve, mbrojtjen e rrugëve, numërimin e tyre në mënyrë automatike ose me dorë, kadastër i rrugëve dhe urave, shërbimi për informimin të gjendjeve në rrugë etj.

Kujtojmë që, në ligjin për përdorimin e gjuhëve është e përcaktuar kjo çështje me precizitet, edhe pse në realitet konsiderohet si përmbajtje diskriminuese për shqiptarët duke u identifikuar gjuha shqipe vetëm me përqindje, dhe jo si gjuhë që e flasin shqiptarët, pra si gjuhë shqipe, por edhe ky ligj diskriminues nuk zbatohet.

Në nenin 1 të këtij ligji thuhet: Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. (2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj. Por, ky ligj është i panevojshëm për drejtorin e N.P. “Rrugët e Maqedonisë”, Kostadin Acevski, pasi po i njëjti këtë ligj nuk e përfill edhe pse e ka votuar gjatë mandatit të tij si deputet i LSDM-së, tani si drejtor e shkel me dy këmbë dhe për këtë nuk ka asnjë reagim as nga institucionet që janë përgjegjëse dhe kanë mekanizmat ndëshkuese.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat