Gjykata e Apelit anulon seancën për “Titanik 2”, Mijallkov shpëton nga akuza

Maqedonia

Gjykata e Apelit anulon seancën për “Titanik 2”, Mijallkov shpëton nga akuza

Më: 30 mars 2023 Në ora: 12:58
Sasho Mijallkovi

Seanca publike për “Titanik 2” në Gjykatën e Apelit është shtyrë për 13 prill dhe deri atëherë do të vjetërsohet ndjekja penale e Sasho Mijallkovit.

Në seancën ku do të shqyrtoheshin ankesat, ishin të pranishëm vetëm Mijallkovi i përcjellur nga burgu i Strugës, si dhe Bedredin Ibraimi, i cili tha se nuk ka marrë ftesë, por ka ardhur pas informacioneve në publik. Të pandehurit e tjerë nuk ishin ftuar siç duhet.

Gjykatësi Gjoko Ristov, i cili është kryetar i këshillit, e ricaktoi gjykimin për 13 prill. Sipas prokurorisë, lënda kundër Mijallkovit vjetërsohet më 7 prill, ndërsa mbrojtja mendon se është vjetërsuar në fund të marsit.

Në gjykimin e përsëritur, Mijalkov u dënua me 2 vjet burg. Paraprakisht, gjykimi i parë me dënim të ngjashëm ishte anuluar nga Apeli i Shkupit dhe ishte kthyer në rigjykim në Gjykatën Penale.

Gjyqi i parë në të dyja gjykatat u zvarrit për 5 vjet, kryesisht për shkak të disa sëmundjeve të Mijalkovit nga COVID-19.

Të akuzuar të tjerë në këtë rast janë deputeti dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish anëtarët e KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, Sasho Srcev, Vlatko Sajkovski dhe Aneta Stefanovska dhe nuk kanë mundësi të shpëtojnë veten me parashkrim të lëndës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat