Apasiev ka paditur Talat Xhaferin për diskriminim politik

Maqedonia

Apasiev ka paditur Talat Xhaferin për diskriminim politik

Më: 11 maj 2023 Në ora: 23:59
Kryetari i të Majtës dhe deputet në Kuvend, Dimitar Apasiev

Kryetari i të Majtës dhe deputet në Kuvend, Dimitar Apasiev deri në Gjykatën themelore civile – Shkup përmes ekipit të tij juridik nga sektori juridik i partisë, ka dorëzuar padi private kundër kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, për shkak të diskriminimit politik në lidhje me moszbatimin e Nismës për referendum për të ashtuquajturin Propozim francez për gjoja negociata me BE-në, informojnë nga partia e Majta.

“Padia me të cilën, ndër të tjera, kërkon kompensim për dëmin e pësuar jomaterial në shumë prej 100.000 denarë, vijon pasi Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KPMD) ka konstatuar diskriminim të drejtpërdrejtë në rastin Apasiev, i cili si propozuesi i autorizuar i një nisme civile për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror, atij iu mohua e drejta kushtetuese për veprim politik dhe u vu me keqdashje në disavantazh në krahasim me propozuesit e tjerë”, kumtoi e Majta.

Për dallim nga të gjitha iniciativat civile të proceduara më parë, në bazë të cilave ka vepruar Kuvendi i Maqedonisë që nga pavarësia e deri më sot (rreth 20 në numër), thuhet në njoftim, iniciativa e Apasiev, si propozues i parë i nënshkruar, nuk është përcjellë siç duhet në komisionet kompetente parlamentare dhe plenumin parlamentar, siç kërkohet shprehimisht me Ligjin për Referendumin dhe format e tjera të deklarimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe me Rregulloren e Kuvendit.

“Paraprakisht Apasiev ka iniciuar edhe procedurë për ndalim të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave në Gjykatën Kushtetuese, e cila është në vazhdim e sipër, ndërsa për rastin konkret, në një të ardhme të afërt do të iniciohet procedurë përkatëse penale për veprën penale “Shkelje e barazisë së qytetarëve”, e dënueshme sipas nenit 137 të KP-së, thonë nga partia dhe shtojnë se publiku do të njoftohet menjëherë për seancën e parë të caktuar gjyqësore në këtë proces të ri gjyqësor, të nisur siç thonë ata kundër arbitraritetit të kryeparlamentarit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat