Radev: Maqedonia e Veriut ka shumë ndikim në institucionet evropiane

Maqedonia

Radev: Maqedonia e Veriut ka shumë ndikim në institucionet evropiane

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 18:40
Presidenti bullgar Rumen Radev

Presidenti bullgar Rumen Radev ra në konflikt me institucionet evropiane për shkak të politikës ndaj Maqedonisë së Veriut.

Ai sot u dërgoi një mesazh të ashpër liderëve evropianë, pasi shefi i punëve të jashtme të BE-së, Josep Borell, disa orë më parë deklaroi se nga perspektiva evropiane, nuk ka asnjë pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, shkruan portali bullgar “Mediapool”.

Radev reagoi dhe akuzoi Shkupin për lobim dhe thotë: “Asnjëherë më parë nuk i është lejuar një vendi kandidat për anëtarësim të ketë një ndikim të tillë në punën e institucioneve evropiane".

“Në vend që të punojë për përmbushjen e kushteve, Shkupi edhe një herë vë bast në lobim aktiv për të mbuluar mungesën e vullnetit politik për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Sulmet dhe gjuha e urrejtjes ndaj Bullgarisë po intensifikohen, futen “lista të zeza” për ndalimin e hyrjes së qytetarëve bullgarë, shkelen të drejtat e komunitetit bullgar – raste të dhunës fizike, malltretime administrative dhe gjyqësore të njerëzve me vetëdije bullgare po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë, zjarrvënie dhe të shtëna në klubet e tyre kulturore, kërcënime të vazhdueshme ndaj vendeve të punës vetëm pse janë bullgarë”, thekson Radev në një letër drejtuar liderëve dhe institucioneve evropiane.

Qeveria e re e Nikollaj Denkov deklaroi se dëshiron të qetësojë situatën dhe bëri thirrje për qëndrim të ngjashëm edhe nga Shkupi, për të avancuar integrimin evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat