Ministria e Mbrojtjes në Maqedoni ka filluar procedurën për ndërtimin e përmendoreve të “branitellave” të rënë në lokalitetin Luboten, Karpallak dhe Vicë.
“Në përpjekjen e kryetarëve të komunave të cilave u është dorëzuar iniciativa për ta politizuar këtë iniciativë, ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, duke dashur të ruajë imazhin, veprën dhe sakrificën e “branitellave” të rënë, filloi një procedurë që nuk kërkon pëlqimin e komunave dhe do të mundësojë ndërtimin e këtyre monumenteve në lokacionet e përmendura”, njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes.
Me përfundimin e seancës së Qeverisë të mbajtur më 28 shtator, siç sqarojnë Ministria e Mbrojtjes, Qeveria ka obliguar Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet kompetente që vendet ku kanë vdekur “branitellat” t’ia caktojnë Ministrisë së Mbrojtjes.
“Procedura tashmë ka filluar dhe është në vazhdim”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.