Begaj nga Manastiri kujtoi autoritetet e Maqedonisë për lënien pas dore të muzeut

Maqedonia

Begaj nga Manastiri kujtoi autoritetet e Maqedonisë për lënien pas dore të muzeut

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 18:52
Bajram Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj qëndroi në Manastir në kuadër të manifestimit për 115 vjetorin e Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe. Begaj i shoqëruar nga liderët shqiptarë vendas foli edhe për rëndësinë e Muzeut të Manastirit, duke i kujtuar autoritetet vendase neglizhencën e treguar deri më tani ndaj muzeut dhe imazhin që reflekton godina e muzeut tash e disa vite.

“Besoj se mirëmbajtja dhe kujdesi ndaj Muzeut të Kongresit të Manastirit duhet të jetë në vëmendjen e qeverive tona, përkujdesja për simbolet tona kombëtare, ndërtesa e muzeut duhet të jetë parësore. Kjo është përgjegjësia jonë përpara historisë dhe përpara të ardhmes”, deklaroi Bajram Begaj, President i Shqipërisë.

Me rastin e 115 vjetorit u përurua edhe Biblioteka e parë me botime shqipe në Manastir, proces për të cilin ideatorja e saj, Ermira Selimi ishte penguar tashmë e disa vite.

Në përvjetorin e 115 morën pjesë edhe liderët e partive politike shqiptare, ndërsa mes tyre nuk mungoi edhe shtrëngimi i duarve. Më 22 nëntor mbushen 115 vite nga Kongresi i Manastirit i mbajtur nga 14 deri 22 nëntor në Manastir në vitin 1908. Nisma kishte ardhur falë konstatimit se njësimi i alfabetit ishte aq i nevojshëm saqë përveç problemit arsimor dhe kulturor kishte kaluar edhe në problem politik për të cilin kërkonte zgjidhje Lëvizja Kombëtare aso kohe. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat