Fillon procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik në Maqedoni

Maqedonia

Fillon procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik në Maqedoni

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 13:17
Fillon procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik në Maqedoni

Kuvendi i RMV-së sot e publikoi shpalljen për prokurorin e ri publik të shtetit në Gazetën Zyrtare dhe në dy gazeta ditore, pasi të hënën deputetët votuan vendimin për emërimin e prokurorit të ri publik. Mandati i prokurorit aktual të shtetit, Ljubomir Joveski, skadon muajin e ardhshëm.

Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, afati për regjistrimin e kandidatëve është 15 ditë nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare”. Për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të emërohet personi i cili ka përvojë të vazhdueshme të punës së paku dhjetë vjet si prokuror publik ose si gjyqtar në fushën e së drejtës penale.

Prokurorin publik e emëron Kuvendi, me propozim të Qeverisë, me mandat gjashtë vjeçar dhe me të drejtë riemërimi. Për punën e tij dhe të Prokurorisë Publike përgjigjet para Kuvendit.

Lista e kandidatëve i dorëzohet Këshillit të Prokurorëve Publik, i cili në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kërkesës duhet t’i dorëzojë Qeverisë mendim të arsyetuar pozitiv ose negativ me shkrim për të gjithë kandidatët e regjistruar të shpalljes që plotësojnë kushtet në përputhje me ligjin. Më pas, Qeveria i paraqet Kuvendit propozimin për emërimin e prokurorit publik nga radhët e kandidatëve të regjistruar për të cilët Këshilli i Prokurorëve Publikë ka dhënë mendim pozitiv. Për kandidatin e propozuar nga Qeveria për prokuror publik, propozimit i paraqitet mendimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Nëse për arsye të ndryshme Këshilli i Prokurorëve Publikë brenda afatit nuk i paraqet mendim Qeverisë, afaty shtyhet edhe për 15 ditë. Nëse në këtë afat Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk paraqet mendim, konsiderohet se mendimi është pozitiv.

Nëse Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk jep mendim pozitiv për asnjërin nga kandidatët e regjistruar, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk mund të bëjë propozim për emërimin e prokurorit publik dhe do t’i propozojë Kuvendit që të përsëritet shpallja.

Prokurori aktual i shtetit, Jovevski, u emërua më 25 dhjetor 2017, duke pasuar Marko Zvrlevskin, i cili u shkarkua në gusht të po atij viti.

Ndërkaq, në Kuvend deputetët e bllokut opozitar shqiptar kanë dorëzuar interpelancë për Joveskin me një vërejtje kyçe lidhur me hetimin e zjarrit në spitalin modular Covid në Tetovë që ndodhi në shtator të vitit 2021, ku humbën jetën 14 pacientë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat