Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në fjalimin e saj në samitin e OSBE-së në Shkup ka reaguar për mungesën e pranisë së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, derisa po mbante fjalimin e saj para pjesëmarrësve të samitit.
“Kësaj here në këtë sallë është e përfaqësuar edhe Rusia, edhe pse jo ministri i saj, i cili ka ardhur vetëm për të folur e jo për të dëgjuar të tjerët, unë ju them – ndaloni këtë luftë, e cila është e drejtuar edhe kundër OSBE-së”, ka deklaruar Baerbock.
Ajo ka theksuar se kjo nuk kërkon negociata, lëshime nga Ukraina, por vetëm një vendim të Rusisë për të respektuar parimet e OSBE-së dhe tërheqjen e trupave të saj.
Baerbock u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare, të cilat duan të dëgjojnë, që të bëjnë gjithçka për të ruajtur efektivitetin e OSBE-së përmes një vendimi të përbashkët në favor të rendit evropian të sigurisë.
Ndër tjerash, Baerbock ka thënë se bashkëpunimi në kuadër të organizatës duhet të forcohet më tej me gjithë pengesat që Rusia ka vendosur për më shumë se një vit.
Fakti që Rusia dështoi të shkatërrojë OSBE-në, "është një kontribut i rëndësishëm për rendin tonë të paqes", është shprehur shefja e diplomacisë gjermane, duke theksuar se "ky rend paqeje duhet të vazhdojë".
Në fjalën e hapjes së punimeve, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, si nikoqir i samitit, është përqendruar në sfidat, me të cilat është përballuar OSBE-ja pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës.
“Ne kemi kryesuar vitin më të vështirë për OSBE-në, duke pasur parasysh se organizata është përballur me një sërë sfidash në dritën e agresionit të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës. Por, shpresoj që do të arrijmë t'i miratojmë vendimet për të zgjedhur kryesuesin e ri dhe katër pozicionet më të rëndësishme në OSBE, si dhe buxhetin për funksionimin e organizatës", ka thënë Kovaçevski, teksa ka vënë theksin te takimi gjatë së mërkurës me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë, David Cameron.
"Duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo vend në mënyrën e vet dërgon mesazhe për agresionin e pajustifikuar të Rusisë kundër një shteti sovran, në Ukrainë. Disa vende e bëjnë këtë me mungesën e tyre, dhe disa me pikëpamje të shprehura qartë”, ka thënë Kovaçevski.
Ai ka shtuar se agresioni rus kundër Ukrainës ka vazhduar "me intensitet të lartë dhe me pasoja të rënda dhe shkatërruese duke konfirmuar padrejtësinë e saj".
"Çdo ditë që kalon dhe çdo jetë e humbur po dëshmon ashpërsinë e agresionit dhe aktin e shkeljes flagrante të sovranitetit dhe të kartës së Kombeve të Bashkuara, parimet dhe angazhimet e OSBE-së, por para së gjithash vlerat njerëzore. Populli i Ukrainës meriton paqe dhe lufta duhet të ndërpritet. Arritja e paqes mbetet imperativ. Kjo luftë po vazhdon të rrënojë themelet e OSBE-së”, ka deklaruar Kovaçevski.