Ministria e Punëve të Jashtme ruse njoftoi se mbrëmë vonë (29 nëntor) avioni i shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, ka aterruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Lavrov u prit nga ambasadori rus në vend, Sergej Bazdnikin.
Shefi i diplomacisë ruse do të marrë pjesë në Këshillin e 30-të ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, ku do të marrin pjesë rreth 1000 delegatë nga 57 vende anëtare të Organizatës dhe vendet partnere.
Shefi i diplomacisë ruse mbërriti në Shkup pas përfundimit të darkës joformale të ministrave të Punëve të Jashtme dhe krerëve të delegacioneve të vendeve anëtare të OSBE-së.
Në darkë, ndër të tjera, mori pjesë edhe sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, i cili mbërriti në Shkup të mërkurën pasdite. Blinken menjëherë pas përfundimit të darkës joformale, rreth orës 21:00, u largua nga vendi për një vizitë në Izrael.