Maqedonia është tronditur nga një ngjarje e rëndë ku kanë mbetur të vrarë dy persona, ndërsa kryersi i vrasjes së dyfishtë është person i njejtë i cili sipas ministrit të punëve të brendshme, Oliver Spasovski, ka ikur nga Maqedonia dhe gjendet në Beograd.
Sipas prokurorit të rastit Gavril Bubevski, arsyeja e vrasjes së 74 vjeçarit Pançe Zhezhovskit është materiale. Kryersve të vrasjes i është duhur një veturë për të kryer misionin e dytë, kushtëzimin e familjes Gjorçevska për para, duke jua kidnapur vajzën.
“Pançe ka mbetur viktimë pasi kryersit e vrasjes nuk kanë pasur veturë që të grabisin Vanjën, personin e dytë në këtë tragjedi” ka thënë prokurori Bubevski.
Kujtojmë se vetura e viktimës Zhezhovski, citroen i bardhë, është përdorur më vonë për të grabitur Vanjën, viktimën e dytë.
Informacionet nga Prokuroria Themelore e Velesit gjithashtu kanë treguar se i dyshuari kryesor Ljupço Palevski dhe Panço Zhezhovski kanë pasur një kontest financiar. Viktima dorasit i ka pasur borxh 500 euro. Kjo është arsyeja se pse është zgjedhur 74 vjeçari për të qenë i vrari i parë nga dorasi, që të kryhet më lehtë qëllimi i tyre përfundimtar, grabitja e Vanjës 14 vjeçare.