Angellov: Kryqi në Kodrën e Diellit është i sigurt, falënderoj bashkëqytetarët shqiptarë

Maqedonia

Angellov: Kryqi në Kodrën e Diellit është i sigurt, falënderoj bashkëqytetarët shqiptarë

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 22:08
Stojançe Angelov

Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave dhe kryetari i “Dinjitetit”, Stojançe Angelov, në rrjetet sociale shkruan se në protestën e sotme në Tetovë kundër kryqit në Kodrën e Diellit, pothuajse askush nuk është paraqitur.

Ai shkruan se kryqi në Kodrën e Diellit është i sigurt falë qytetarëve shqiptarë.

“Faleminderit për bashkëqytetarët tanë shqiptarë që nuk e përkrahën shembjen e kryqit dhe në këtë mënyrë treguan respekt për ndjenjat tona fetare. Më e mira për vendin, më e mira për Maqedoninë, më e mira për maqedonasit, shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e tjerë do të ishte nëse në betejën e ardhshme politike nuk do të keqpërdoreshin ndjenjat fetare dhe marrëdhëniet ndëretnike”, shkruan ai.

Angelov i bën thirrje kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilal Kasami që të anulojë, siç thotë ai, vendimin provokues dhe të kundërligjshëm për heqjen e kryqit.

Në të njëjtën kohë, Dioqeza Tetovë-Gostivar e KPM-së-OA parashtroi ankesë kundër vendimit të inspektorit ndërtimor komunal për rrënimin e kryqit në manastirin e Shën Naum Ohrit në Kodrën e Diellit.

Sekretari i komunës, Darko Kocevski, mohoi përfshirjen, duke theksuar se as ai dhe as kryetari Kasami nuk kanë kompetencë të marrin vendime të tilla.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat