Talat Xhaferi betohet si kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

Talat Xhaferi betohet si kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut

Më: 28 janar 2024 Në ora: 07:44 Përditësuar në ora: 11:03 më 28.01.2024
Pamje nga senaca

Ditë historike në Maqedoni: Ali Ahmeti ia thotë këngës para zgjedhjes së Talat Xhaferit kryeministër

Sot do të jetë ditë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Atje do të votohet Talat Xhaferi për kryeministër.

Para seancës ka hyrë në rrjete socialve LIVE, Artan Grubi, zv/kryeministër i parë në Maqedoninë e Veriut.

Aty, pas disa fjalëve, lëshohet edhe këngë folklorike ku merr pjesë edhe Ali Ahmeti.

Video:

Talat Xhaferi ka arritur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për t’u emëruar kryeministër

Talat Xhaferi ka arritur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për të marrë pozitën e kryeministrit.

Seanca në fjalë për emërimin e tij pritet të fillojë nga ora 11:00.

Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ai do të ketë mandat 100 ditësh pasi është qeveri teknike.

Tetova e qetë në ditën kur zgjidhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoni të Veriut

Talat Xhaferi sot do të bëhet kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Për këtë ceremoni janë bërë një mori përgatitjesh, por Klan Kosova është duke qëndruar sot në Maqedoni të Veriut.

Gazetari Drin Demiri qëndron në Tetovë prej ku tha se është duke mbretëruar një atmosferë e qetë.

Ndër tjera ai tha se qytetarët e asaj zone dëshirojnë që të ketë një Maqedoni të Veriut më të zhvilluar.

Xhaferi tregon se si u vendosi fëmijëve emra shqip kur ishte e ndaluar në Maqedoni

Politikani Talat Xhaferi sot pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ekipi i Klanit në krye me gazetarin Adriatik Kelmendi ka shkuar në shtëpinë e Xhafërit për ta intervistuar para se të shkojë në Kuvend për ta bërë betimin.

Gjatë intervistës, ai ka treguar për kohërat e vështira kur shteti Maqedonas ka qenë diskriminues ndaj shqiptarëve atje.

Madje, ai ka rrëfyer se si dy fëmijëve të tij u ka lënë emra shqip.

“Unë kam dy fëmijë, djalin dhe vajzën. Djali ka lindur në Leskoc, vajza në Gostivar. Edhe këtu dhe atje ishte çështja e ndalesës së emrave shqip dhe ajo përvojë nuk është vetëm e imja, por në përgjithësi. Edhe këtu dhe atje ishte lista paraprake e emrave që lejohej të përdoreshin nga shërbimet civile. Prej asaj liste duheshe me zgjedh një emër”, ka treguar Xhaferi.

“Unë e them emrin e djalit Barlet, merr ta shkruajë, dhe unë i them pa J”, ka shtuar ai.

Kur është pyetur se çfarë kuptimi ka ky emër, Talat Xhaferi i ka thënë se është një emër internacional, duke mos i treguar që korrespodon me emrin e Marin Barletit.

“Vajza mban emrin Besiana, motivimi ime ashti që e kalonim rrugën Besiana dhe nga aty ishte frymëzimi”.

Tutje, ai ka shtuar se në atë kohë ka pasur pengesa të theksuara dhe tani më nuk ka pengesa të tilla.

Xhaferi: Zgjedhja ime si kryeministër i Maqedonisë së Veriut është një realitet që ndodh në kohën e duhur

Talat Xhaferi, kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, ka thënë se emërimi i tij në këtë pozitë është në kohën e duhur.

Ai sot bëhet shqiptari i parë që është në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndonëse do të jetë qeveri teknike me mandat 100 ditësh.

Xhaferi për klanin ka deklaruar se më herët ka qenë një tabu të flitet që shqiptarët të jenë në krye të institucioneve, sipas tij, tani kjo është një realitet.

“Mendoj se është në kohë dhe nuk është e vonuar, për faktin që aspektet procedurale dhe formale i përcakton Ligji për Qeverinë. Që përcakton se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhejve duhet të ketë qeveri teknike, e cila ka për prioritet organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve, dhe jo vetëm aspektet e kompetencave qeveritare dhe të funksionimit të institucioneve. Besoj se është në kohën e duhur dhe në momentin e duhur”.

“Kontekstet kohoret në konktekst politik mund të themi se janë edhe të vonuara, por edhe në kohë. Për aspektet politik dhe shoqërore, aspekti kohë nuk ngërthen me orë me ditë, është çështje e proceseve që vijojnë dhe paraprijnë dhe që pasojnë, kështu që është çështje e politikbërjes që planifikimet bëhen afatshkurta dhe afatgjata, mendoj se është në kohën e duhur konform rrethanave. Por nëse e shohim në kontekst të ngushtë mund të thuhet se është e vonuar, nëse dikur ka qenë tabu, tani është realitet që ndodh i ri dhe është koha e duhur mendoj”, ka thënë Xhaferi. 

Kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut e mban në shtëpi shqiponjën dy krenare

Talat Xhaferi, kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, në dhomën e tij të ndejës mban një skulpturë me duart duke e bërë “Shqiponjën dy krenare”.

Ai  ka bërë të ditur se e ka dhuratë nga Tirana e Shqipërisë.

“Këtë e kam marrë në Tiranë në kuadër të njërit prej evenimenteve që organizohet nga odat ekonomike shqiptare.

Aty e mora nga kryetari i Odës së Shqipërisë si çmim”, ka thënë Xhaferi.

​Për herë të parë një kryeministër shqiptar në Maqedoni, sot votohet Qeveria teknike

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të zgjedhë sot Qeverinë teknike me mandatar Talat Xhaferin.

Në ora 11:00 do të fillojë seanca me një pikë të vetme të rendit të ditës - zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 maj.

Roli dhe kompetencat e kryeministrit teknik, i cili buroi si ide e negociatave të “Përzhinës” në vitin 2015 është i kufizuar, përkatësisht është i cunguar nga fuqia ekzekutive.

Ligji mbi Qeverinë përcakton kompetencat e organit ekzekutiv dhe të resorëve brenda saj, kryesisht të atyre që udhëhiqen nga opozita apo kanë zëvendësministra plotësues.

“Të gjitha aktet e kompetencave udhëheqëse duhet të nënshkruhen nga zëvendësi plotësues, përkatësisht zyrtari udhëheqës-plotësues. Derisa akti nënshkruhet vetëm nga një person, konsiderohet se i njëjti nuk ka fuqi juridike dhe nuk mund të ekzekutohet”, thuhet në Ligji për Qeverinë, Neni 44.

“Secili akt i bazuar në këtë ligj i dorëzohet ministrit dhe zëvendësministrit plotësues. Ministri dhe zëvendësministri plotësues janë të obliguar që menjëherë dhe në afat më së voni prej një dite të miratojnë ose hedhin poshtë aktin e bazuar në ketë ligj”, thuhet në Ligji për Qeverinë, Neni 46.

Talat Xhaferi në cilësinë e mandatarit i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë, përfshirë edhe programin qeverisës.

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi nëpërmjet një postimi në Facebook ka shpalosur emrat të cilët do të jenë pjesë e kabinetit të kryeministrit të parë shqiptar.

Emrat e propozuar nga BDI-ja për kabinetin qeveritar teknik janë Artan Grubi- ministër për Sistemin politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Bujar Osmani- ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi-ministër i Financave, Jeton Sheqiri- ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ndërsa zëvendësministër i Arsimit është propozuar Agim Nuhiu, zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi dhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme Nazim Bushi.

Sa i takon VMRO-DPMNE-së, partia e propozoi Pançe Toshkovskin për ministër të Brendshëm, Gjoko Velkovskin për Punë dhe Politikë Sociale, Elena Petrova- zëvendësministre shtesë për Financa, Stefan Andonovski për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Cvetan Tripunovski për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave.

Për ministra pa portofol janë propozuar Bojan Mariçiq për çështje evropiane, Fatmir Bitici për çështje ekonomike dhe Slavica Grkovska për politika për qeverisje të mirë.

Shefi aktual i kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, Mitko Bojmacaliev është kandidat për zëvendësministër shtesë të Punëve të Brendshme, ndërsa në postet ministrore në kulturë, mjedis jetësor, transport, mbrojtje dhe bujqësi, janë propozuar ministrat e deritanishëm të LSDM-së.

VMRO-DPMNE ka njoftuar se do të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit, por nuk do të votojë Qeverinë teknike. Lideri i kësaj partie Hristijan Mickoski tha se nuk pret komplikime gjatë Qeverisë teknike.

Ndryshe, në vendin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të cilin e mbante Talat Xhaferit është zgjedhur Jovan Mitreski.

Në programin e publikuar në faqen e Kuvendit, ndër të tjera, shkruhet se prioritet kryesor i Qeverisë është përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare të lira, të ndershme dhe demokratike të 24 prillit dhe 8 majit.

Qeveria që do të votohet sot do të jetë e treta dhe me gjasë e fundit e karakterit të tillë. E para u zgjodh në vitin 2015 nën udhëheqjen e Emil Dimitriev, ndërsa e dyta në vitin 2020 nën udhëheqjen e Oliver Spasovskit, por mandati i saj u zgjat për arsye të rrethanave me pandeminë COVID-19. Qeveria teknike do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat