Nënkryetari i BDI-së thotë se Shqiptarët po marrin hisen e vet

Maqedonia

Nënkryetari i BDI-së thotë se Shqiptarët po marrin hisen e vet

Më: 30 janar 2024 Në ora: 22:10
Bujar Osmani

Nënkryetari i BDI-së, njëherit ministër i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, tha se shqiptarët në këtë shtet nuk po bëjnë asgjë më shumë përveç se po e marrin hisen e vet, raporton teve1.info

Osmani tha se disa pozicione shtetërore si presidenti, kryeministri, kryeparlamentari e të tjera, në Maqedoni të Veriut ishin të ndaluara për komunitete për një kohë të gjatë.

“Disa pozicione kyçe ishin të rezervuara për një komunitet, ose të ndaluara. Në vitin 2009 i përmendëm publikisht 12 institucione të cilat ishin të ndaluara duke filluar nga shefat e shërbimeve sekrete, nga ministri i jashtëm, kryeparlamentari, presidenti, kryeministri, dhe filluam një nga një t’i rrënojmë ato që unë i quaj kështjella të monopolit etnik për shkak se qëllimi ishte jo për të treguar dominancë për shkak se thash tash nacionalizmi maqedon e interpreton këtë se ne shqiptarët po dominojnë. Shqiptarët nuk po bëjnë asgjë përveç se po e marrin hisen e vet, për shkak se ne jemi me të drejta dhe obligime të barabarta dhe kështu duhet të jetë edhe pozicioni jonë”, u shpreh Osmani.

Ai tha se arritja e postit të kryeministrit nga shqiptarët në Maqedoni të Veriut është moment i rëndësishëm, por shtoi se përpjekjet e shqiptarëve duhet të vazhdojnë sikur pas vitit 2001.

“Kryeministri i parë shqiptar kujtoj se hap një epokë të re të barazisë, kjo nuk do të thotë se tani tutje ne nuk duhet të vazhdojmë përpjekjet për shkak se për fat të keq harmonia multietnike këtu ose demokracia multietnike funksionale që është në Maqedoni të Veriut nuk është prej poshtë-lart, është prej lart-poshtë, e imponuar nga elita politike, nga ndihma e komunitetit ndërkombëtar dhe dalëngadalë po shtohet por ende nuk ka zënë rrënjë, po e lamë, menjëherë devijojnë proceset, prandaj ne duhet të vazhdojmë me këto përpjeke. Është me rëndësi ky moment i arritjes të pikës kyçe të barazisë, por përpjekjet tona duhet të vazhdojnë ashtu siç kanë qenë edhe në vitin 2001 pas fillimit të epokës së re të Maqedonisë e Ohrit”, tha Osmani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat