Gazetari Sefer Selimi ishte këtë të diel i ftuar në një intervistë për Euronews Albania ku ka folur për situatën politike në Maqedoninë e Veriut.
Duke komentuar përçarjen e Aleancës për Shqiptarët, Selimi tha se kjo situatë i intereson më së shumti BDI-së pasi ajo ka më tepër gjasa të dalë e fituar nga gjithë këto lëvizje.
“Natyrisht që BDI-në kjo situatë e ndihmon më shumë, sepse nuk do të jenë dy kampe por do të jenë 3. Natyrisht që në aspektin strukturor BDI-ja është shumë më shumë e organizuar dhe për fatin tonë të keq ekziston një klientelizëm i madh partiak i votuesit ndaj partisë.
BDI mban thuajse të gjitha institucionet shtetërore, ndaj kjo do i vlejë shumë më shumë për të kapitalizuar këtë moment në fushatë. Edhe anketat paraprake tashmë e vendosin në një pozicion shumë më të favorshëm dhe shumë më të fuqishëm. Nuk besoj se do të ketë një sfidë serioze ndaj BDI-së me kalimin e zotit Taravari”,-tha Selimi.