KSHZ numëron 99.85% të votave, ja kush po prin dhe ku renditen Osmani dhe Taravari

Maqedonia

KSHZ numëron 99.85% të votave, ja kush po prin dhe ku renditen Osmani dhe Taravari

Më: 24 prill 2024 Në ora: 07:37 Përditësuar në ora: 11:22 më 24.04.2024
Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska-Davkova

Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, voton Osmani: Besoj në fitore të madhe

Kandidati i Frontit Evropian për president, Bujar Osmani, pasi ka votuar për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, ka thënë se beson në fitore të madhe të tyre.

Kandidati për president i koalicionit që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kërkoi zgjedhje të lira, fer dhe demokratike.

“Uroj zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Inkurajoj qytetarët që të dalin në numër sa më të madh. Të votojnë sipas bindjes së tyre, sipas vullnetit të tyre për një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Unë mendoj se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, janë vendimtare për të ardhmen e vendit tonë, pasi shteti është në udhëkryq, dy opsione janë para nesh dhe qytetarët duhet të vendosin njërin prej këtyre opsioneve, integrimin apo izolimin...Besoj në fitore të madhe të Fronit për Evropë në këto zgjedhje vendimtare për të ardhmen e shtetit”, tha ai.

Sipas Komisionit Shtetërore të Zgjedhjeve (KShZ) në Maqedoninë e Veriut deri në orën 9:00 kanë votuar 3.85 për qind e qytetarëve për zgjedhjet presidenciale.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot vendosin për presidentin e tyre të ardhshëm. Këto janë zgjedhjet e shtatë presidenciale, ndërsa raundi i dytë i mundshëm mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

Kandidati tjetër shqiptar për president është Arben Traravari nga koalicioni VLEN, i cili përbëhet nga parti opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut.

KSHZ jep përqindjet e para të daljes së votuesve në zgjedhjet e RMV-së

Komisioni Shtetëror Zgjedhor njofton se pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale deri orën 09:00 është 3.85 për qind.

Këtë e njoftoi kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.

Ai tha se të gjithë vendvotimet janë hapur në kohë dhe se procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme.

Dashtevski tha se janë paraqitur probleme teknike në disa vendvotime, mirëpo brenda ditës do të eliminohen.

Të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale që mbahen sot kanë gjithsej 1.814.317 votues.

Në Dibër dhe Qendrën Zhupa vendvotimet janë hapur në kohë

Në komunën Dibër dhe Qendër Zhupë të 43 vendvotimet janë hapur me kohë.

“Qendrat e votimit janë të hapura në orën shtatë. Në komunën e Dibrës votohet në 27 vendvotime, prej të cilave 22 në qytet, dy në fshatin Mogorcë dhe nga një në fshatrat Xhepishte, Kosovrasti i Poshtëm dhe i Epërm. Të drejtë vote kanë 19.334 votues, që është 123 zgjedhës më shumë krahasuar me ciklin e fundit zgjedhor, zgjedhjet vendore të tetorit 2021. Dje 29 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm kanë realizuar të drejtat e tyre civile”, tha Rilind Hasa, kryetar i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Dibër.

Sipas Nexhip Iljazi, kryetar i KKZ Qendër Zhupa, edhe vendvotimet në këtë komunë janë të hapura me kohë.

Votohet në 16 vendvotime, 9 janë në Qendër Zhupa, nga një në vendbanimet Broshticë, Novak, Elenci, Breshtani, Pralenik, Kodxhadxhik, Dolgash. Dje 3 persona të sëmurë dhe të paaftë shfrytëzuan të drejtën e votës”, tha Iljazi.

Avokati i Popullit me linjë telefonike falas për raportimin e shkeljeve të të drejtave të votës

Në zyrën e Avokatit të Popullit, sot nga ora 07:00 deri në orën 19:00, në ditën e mbajtjes së rrethit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Shtetit, qytetarët do të mund të denoncojnë çdo shkelje të së drejtës së votës përmes linjës telefonike pa pagesë 0800 54321.

Siç njoftoi Avokati i Popullit, përveç linjës telefonike falas, qytetarët do të mund të raportojnë personalisht për shkeljen e të drejtës së votës në zyrën qendrore në Shkup, e cila ndodhet në rrugën “Maqedonia” nr.19, në objektin e “TD. Makosped” (përballë shtëpisë përkujtimore së Nënë Terezës).

Shkeljet e të drejtës së votës mund të lajmërohen edhe në zyrat rajonale në Strumicë në tel. Nr.(045).228-586, Tetovë në tel. Nr (044) 344-082, Manastir në tel. Nr (047) 242-310, Shtip në tel. nr. (032) 389-701 dhe në Kumanovë në tel. nr. (031) 431-488.

Avokati i Popullit njofton se me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të votimit të qytetarëve, do të marrë masa të menjëhershme për veprim efektiv nga organet kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet e tjera të cilat, thekson, janë të obliguara t’u ofrojnë mbrojtje qytetarëve për t’ju garantuar ushtrimin e të drejtës së votës./

Qytetarët e Maqedonisë edhe sot mund të marrin dokumentet personale

Dokumentet personale mund të merren edhe sot, në ditën e zgjedhjeve, njoftojnë nga MPB.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se Departamenti i Çështjeve Civile, gjegjësisht të gjitha seksionet për punët administrative të kësaj njësie organizative pranë MPB-së, do të punojnë për dhënien e dokumenteve personale më datë 24.04.2024, me orar pune nga ora 8:00 deri në 19:00”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Po ashtu, qytetarët e Shkupit do të mund të marrin letërnjoftimet e tyre në stacionet policore në Shkup.

Kujtojmë se në zgjedhjet presidenciale sot mund të votojnë shtetasit të cilëve dokumentet personale u kanë skaduar nga data 24 korrik 2023 deri më 24 prill për çfarëdo arsye, me forcën e ligjit apo afatin e vlefshmërisë. Sipas dispozitës kalimtare të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, e cila do të zbatohet vetëm për zgjedhjet e këtij viti, zgjedhësit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria në periudhën 9-mujore deri në datën ditën e zgjedhjeve.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni do të ndiqen nga qindra vëzhgues

Sot mbahen zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut ku qytetarët duhet të vendosin mes shtatë kandidatëve për të parin e shteti. Dy nga kandidatët janë shqiptarë dhe pesë kandidatë janë maqedonas, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Gjithsej 942 vëzhgues, gazetarë të huaj dhe përkthyes janë akredituar për ndjekjen e Zgjedhjeve presidenciale më 24 prill. Siç është kumtuar në ueb-faqen e KSHZ-së, përfundimisht me 19 prillin, janë akredituar 342 vëzhgues dhe përkthyes vendorë dhe 568 të huaj, prej të cilëve më të shumtë janë nga OSBE/ODIHR – 375. Nga vendorët, më të shumtë do të jenë vëzhguesit e Shoqatës për zhvillim të shoqërisë – inovacione sociale “WAKE UP” – Shkup – 182.

Përveç këtyre organizatave të akredituara për vëzhgim të Zgjedhjeve për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut 2024 dhe për Zgjedhjet për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut 2024 janë Shoqata e qytetarëve CIVIL – Qendra për liri – Shkup, Shoqata për promovim dhe zhvillim të shoqërisë inkluzive Inkluziva Kumanovë, Fondacioni Romët për demokraci – Shkup, Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës – komisioni ad hok për vëzhgim të zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Instituti nacional demokratik për Punë të jashtme, Uashington SHBA – filali Republika e Maqedonisë së Veriut, Qendra për zhvillim të sistemeve zgjehdore, reforma dhe trajnim (qendër trajnimi) e Komisionit qendror zgjedhor të Gjeorgjisë, Ambasada e Republikës së Sllovakisë në Shkup dhe Asociacioni evropian për dialog dhe demokraci – Bergen, Norvegji.

Zgjedhjet për shef të shtetit do t’i ndjekin edhe 32 gazetarë të huaj, mes të cilëve edhe nga agjencitë Rojters dhe Frans pres, Euronjus Albania, Pres foto agjencia evropiane – EPA, Al Xhazira Ballkan, Zëri i Amerikës – redaksia maqedonase, TOP Channel Shqipëri – departamenti Kosovë dhe të tjera.

Zgjedhjet e shtata presidenciale në vend mbahen sot, ndërsa rrethi i dytë i mundshëm së bashku me parlamentaret, më 8 maj.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni – gjithçka që duhet të dini

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u janë drejtuar të mërkurën kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e shtetit.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kanë 1.814.317 votues, të cilët duhet të zgjedhin mes shtatë kandidatëve për president të Maqedonisë së Veriut.

Në garë janë presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili është propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM).

Opozita maqedonase, që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja, në zgjedhje merr pjesë me Gordana Siljanovska Davkovën, e cila garoi edhe në zgjedhjet e vitit 2019.

Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë.

Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme.

Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, merr pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit.

Pjesë e garës zgjedhore janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.

Sipas dispozitave ligjore, në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat/e duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore, apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve.

Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më së shumti vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit.

Në të gjitha zgjedhjet presidenciale të deritanishme është siguruar censusi prej të paktën 40 për qind.

Fushata elektorale ka zgjatur 20 ditë dhe është përcjellë me akuza të shumta mes kandidatëve.

Rezultatet e para pritet të publikohen pas mbylljes së kutive të votimit në orën 19.00.

Ato, sikurse edhe në ciklet e kaluara zgjedhore, fillimisht do të publikohen nga shtabet e kandidatëve ndërsa KSHZ-ja do t’i publikojë më së voni deri nga mesnata e 24 prillit.

Nga KSHZ-ja kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, për të dëshmuar, siç kanë thënë, se Maqedonia e Veriut mund të organizojë zgjedhje sipas standardeve evropiane.

Në këtë drejtim kandidatët për president kanë nënshkruar edhe një kod për zgjedhje të drejta dhe demokratike, dhe për përmbajtje nga etiketimet dhe gjuha e urrejtjes.

Temat që kanë dominuar fushatën kryesisht kishin të bënin me integrimet evropiane, ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjendjen në gjyqësor dhe ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut dhe rajon.

Këto zgjedhje njëherësh vlerësohen si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë do të jetë test për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahem më 8 maj, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri më tani ka akredituar 342 vëzhgues vendas, 517 vëzhgues të huaj dhe ndërkombëtarë, 51 përkthyes dhe 32 gazetarë të huaj.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria e Maqedonisë së Veriut, gjithashtu, do të mbikëqyrin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

MPB-ja nuk ka bërë të ditur numrin e policëve të angazhuar në qendrat e votimit, por nga ky dikaster më herët kanë thënë se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rrjedhës së procesit në pjesën perëndimore të vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat