Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot ka kërkuar nga kandidatja për presidente nga OBRM-PUKM-së, Gordana Siljanovska-Davkova që të ketë kujdes kur flet për luftën e vitit 2001 dhe mos të hap plagët e vjetra.
Ahmeti tha se gjërat që gërvishtin mbi plagët nuk është mirë të shfrytëzohen për gjëra elektorale, ndërsa të gjitha palët duhet të jemi të vëmendshëm në këtë drejtim.
“Luftarët e UÇK-së duhet të përgjigjen pse kanë luftuar lirinë, pse kanë qenë ushtarë të lirisë dhe nuk kanë qenë mercenar dhe dezertorë, kanë fituar të drejtën e vet.
Kanë nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare me NATO-n, Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga presidenti i republikës së atëhershme i ndjeri Boris Trajkovski si dhe nga unë si komandant i përgjithshëm i UÇK-së”, tha Ahmeti.
Ahmeti shtoi se çdokush që gërvisht mbi plagët e ka gabim ose e ka vetëm për fushatë elektorale.
Kujtojmë se më herët Gordana Siljanovska-Davkova ka kërkuar që të formohet një tribunal në Hagë për luftën e 2001-shit.