​Zgjedhjet në Maqedoni, mund të votohet edhe me letërnjoftime të skaduara

Maqedonia

​Zgjedhjet në Maqedoni, mund të votohet edhe me letërnjoftime të skaduara

Më: 8 maj 2024 Në ora: 07:55
Foto ilustrim

Në zgjedhjet e dyfishta, presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të Veriut, sipas dispozitës të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, e cila do të zbatohet vetëm për këto zgjedhje, votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria brenda afatit kohor, afati prej nëntë muajsh deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Në zgjedhjet presidenciale do të mund të votojnë ata persona të cilëve u ka skaduar dokumenti personal më 24 korrik 2023 e deri më 24 prill, ndërsa në zgjedhjet parlamentare do të mund të votojnë qytetarët të cilëve dokumentet personale u kanë skaduar për çfarëdo arsye, në bazë të ligjit ose me datën e skadencës për të votuar nga data 8 gusht 2023 deri në ditën e zgjedhjeve, 8 maj.

Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është 1.815.350 votues.

Diferenca në numrin e votuesve është 1033 dhe kjo është për shkak të votuesve që kanë mbushur 18 vjet. Vendvotimet u hapën në ora 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00. Në këto zgjedhje do të jenë mbi 2000 vëzhgues vendas dhe të huaj dhe rreth 80 gazetarë të huaj.

Gjatë ditës së djeshme votuan të sëmurët dhe të pafuqishmit, kërkesat e të cilëve janë pranuar nga komisionet zgjedhore komunale. Votoi edhe diaspora, por vetëm për zgjedhjet presidenciale, pasi për parlamentaret nuk u mbush numri i nevojshëm i kërkesave për organizim të zgjedhjeve.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të votohet për dy kandidatë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare për 17 lista të deputetëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat