Fronti Evropian akuzoi sot ashpër subjektet politike shqiptare të cilat pritet të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme së Maqedonisë së Veriut, duke thënë se ato me këtë po e shkelin legjitimitetin e votës së lirë dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Në një konferencë për media, kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se Fronti Evropian ngadhënjeu si koalicion fitues në zgjedhjet presidenciale me diferencë prej 40.000 votash, ndërsa në ato parlamentare me mbi 31.000 vota dhe 6 deputetë më tepër.
Ahmeti: Fronti Evropian doli forca e dytë në Maqedoninë e Veriut
“Fronti Evropian mori 19 deputetë, ndërsa opozita 13 deputetë. Fronti Evropian doli ngadhënjyes në 20 komuna ku jetojnë dhe votojnë shqiptarët dhe komunitetet tjera, ndërsa opozita në 8. Fronti Evropian doli forca e dytë në shtet, që ndodh për herë të parë në historinë e vendit. Këto rezultate u cenuan dhe vazhdojnë të cenohen nëpërmjet një inxhinieringu zgjedhor në sytë e gjithë opinionit, vendor, rajonal dhe ndërkombëtar”, ka thënë Ahmeti.
Fronti Evropian dhe opozita shqiptare, në dhjetor 2023 dhe janar 2024, firmosën deklaratë për mos-hyrje në Qeverinë e re pa ndryshimet kushtetuese. Ahmeti tha se për Frontin Evropian është e papranueshme që pjesë e qeverisë të bëhet koalicioni me numër më të vogël të mandateve.
Ahmeti: Kush i përfaqëson shqiptarët në Maqedoninë e Veriut?
“Përkundër të gjitha argumenteve dhe numrave e rezultateve, edhe me deputetë, edhe me numra absolut votash, edhe me fitore në dy të tretat e komunave, humbësit e zgjedhjeve, pa legjitimitetin e sovranit, u nënshtruan tërësisht duke injoruar vullnetin e popullit, Marrëveshjen e Ohrit, legjitimitetin dhe pa pasur aspak respekt për ata që sollën të gjitha këto ndryshime cilësore në vendin tonë.
Në këtë kontekst, qytetarët na pyesin, ç’kuptim ka demokracia në vendin tonë nëse komuniteti shumicë përcakton se kush i përfaqëson shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët dhe komunitetet tjera”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka akuzuar VLEN-in se me hyrjen e saj në partneritet qeverisës me VMRO-DPMNE shkel Marrëveshjen e Ohrit që bazohet në legjitimitet.
Ahmeti: Mos respektimi i legjitimitetit, poshtërim ndaj shqiptarëve
“Mos respektimi i legjitimitetit, është poshtërim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve. Këtë poshtërim, për fat të keq, po e mundësojnë edhe ca që firmosën deklaratë të përbashkët me ne, që deklaruan publikisht disa herë që nëse humbasin me një votë e me një deputet më pak, do të tërhiqen, por për ambicie të vogla personale, ose arsye tjera të panjohura për opinionin e gjerë dhe me urrejtje të madhe ndaj nesh, u nënshtruan dhe mundësuan etablimin e hegjemonisë etnike”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti nuk ka dashur të shpalosë hapat e ardhshëm të Frontit Evropian, por u shpreh shkurt se opinioni do të njoftohet me kohë.
VMRO-DPMNE dhe koalicioni i katër partive politike shqiptare VLEN thonë se kanë përfunduar bisedimet për bashkëqeverisje dhe për ndarjen e posteve ministrore në Qeverinë. Bazuar në paralajmërimet e VMRO-DPMNE-së, Qeveria e re e pritet të zgjidhet më së voni deri më 20 qershor.