Këshilli i Prokurorëve-RMV: Shpërbërja e Këshillit do të shkaktojë dëm, duhet të ketë përgjegjësi individuale

Maqedonia

Këshilli i Prokurorëve-RMV: Shpërbërja e Këshillit do të shkaktojë dëm, duhet të ketë përgjegjësi individuale

Më: 5 korrik 2024 Në ora: 16:21
Foto ilustrim

Këshilli i Prokurorëve Publik në Maqedoninë e Veriut është kundër shpërbërjes së trupit të tyre.

“Mund të shkaktojë dëme, duke qenë se institucionet duhet të kenë vazhdimësinë e tyre dhe të punohet për përmirësimin e zgjidhjeve ligjore. Nuk mund të ketë përgjegjësi kolektive, ajo duhet të jetë individuale duke vënë në dukje ata aktorë që kanë gabuar para ligjit. Shpërbërja do të ishte e dëmshme për të gjithë organizatën e prokurorisë. Kemi edhe kompetenca të tjera ligjore.

Prokuroria po përballet me mungesë të një numri të madh të prokurorëve dhe puna e Prokurorisë Publike do të ndërpritet plotësisht”, tha kryetarja e Këshillit të prokurorëve publikë, Dushica Dimitrieska.

Ka mangësi që mund të përmirësohen me ndryshime ligjore, por sipas saj, Këshilli e kryen me sukses punën e tij, për të cilat, siç tha ajo, nuk ka vërejtje negative në raportet vendore dhe ndërkombëtare.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, dy ditë më parë tha se nuk e përkrah tezën e përgjegjësisë kolektive dhe shpërndarjen e Këshillit dhe beson se përgjegjësia individuale duhet të sanksionohet dhe të zbulohet saktë. Ajo thotë se çdo përgjegjësi ka një emër.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat