Vazhdimi i bulevardit V.S Bato në Tetovë do të realizohet në dy faza. Faza e parë është deri në lagjen Drenovec, respektivisht deri tek ish fabrika e Tullave, ndërsa faza e dytë duhet të realizohet deri në fshatin Poroj. Aktualisht është duke u punuar në fazën e parë, ku janë duke u vendosur kanalizimi atmosferik dhe fekal, rrjeti i ujësjellësit, ndërsa më pas do të vazhdohet edhe me asfaltimin dhe me ndriçimin publik.
Nga Komuna e Tetovës thonë se për fazën e parë janë siguruar mjetet ndërsa për fazën e dytë do të kërkohet ndihmë nga qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Krahas punëve në teren në vijim e sipër është edhe procesi i shpronësimit të pronave private.
“Për sa i përket këtij bulevardi, aktualisht është duke u bërë kanalizimi atmosferik, njëkohësisht ka filluar edhe shpronësimi i pronave, ku janë 38 lëndë për shpronësim. Pasi të përfundohet faza e parë që përfshinë kanalizimet, asfaltimin dhe ndriçimin publik ku vlera totale e fazës së parë kushton rreth një milion euro, më pas do të vazhdohet edhe me fazën e dytë por, pasi që është një projekt që kushton më shumë do të duhet të kërkohet mjete nga qeveria për të përmbyllur këtë buevard”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Ndryshe, Bulevardi “Vidoe Smilevski – Bato” apo vazhdimi i bulevardit industrial nga qendra sportive e deri tek rruga për te kazerma, është përuruar në vitin 2021,ndërsa ka kushtuar gjithsej 1 milion euro kurse mjetet janë siguruar përmes bankës botërore.
Ky bulevard është një ndër arteriet kryesore të komunikacionit për trafikun e stërngarkuar në rrugët e qytetit të Tetovës dhe kishte për qëllim që të evitojë kaosin në pjesët kryesore, sidomos për automjetet që vijnë nga Shkupi dhe Gostivari dhe desticnacion nuk e kanë Tetovën, por rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë dhe anasjelltas.
Paralelisht në Tetovë zhvillohen edhe dy projekte, njëri prej te kazerma e Tetovës e deri tek dalja në rrugën Tetovë-Jazhincë dhe qarkorja e Tetovës nga autostrada Tetovë-Shkup e deri në fshatin Neproshten. Të gjitha këto tre segmente rrugore nëse përfundojnë brenda disa viteve, do të jetë shpëtim për Tetovën sidomos për automjetet e rënda të cilët nuk do të duhet që të hyjnë brenda në qytet por do të shfrytëzojnë njërën prej këtyre tre rrugëve.
Qarkorja e Tetovës filloi këtë vit, pak para zgjedhjeve dhe sipas paralajmërimeve do të duhet të përfundojë vitin e ardhshëm. Por, momentalisht, gjendja vazhdon të jetë kritike me komunikacionin në rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë, pasi që i tërë trafiku është i koncentruar në këtë rrugë.