Rezoluta e politbyrosë

Maqedonia

Rezoluta e politbyrosë

Nga: Muhamed Halili Më: 25 korrik 2024 Në ora: 12:52
Muhamed Halili

Politibyroja e BDI, partisë me proviniencë marksiste-leniniste-enveriste para disa ditëve shkroi një Rezolutë për coptimin e Maqedonisë në regjione sipas shembullit të Irlandës Veriore dhe Belgjikës dhe i informoi dhe kushtëzoi “ miqët e tyre ndërkombëtarë” (në kundërshtim me këshillat e ambasadores amerikane Ageler) se nëse partia e tyre nuk hynë në qeveri ata do ta coptojnë Maqedoninë sipas një teksti që pritet ta shkruaj Pol Viliams, një drejtor i një organizate joqeveritare për të drejtën ndërkombëtare që me para të majme u shet mend se si duhet t’i rregullojnë marrëdhëniet ndëretnike, ndërkonfesionaë etj.,disa vendeve multietnike e multikonfesionale të Afrikës e Azisë .

Bazë që të hyjë kjo parrti në qeveri na qenka resspektimi i Marrëveshtjes së Ohrit me një platformë që do ta shkruanka Pol Viliams, hartuesi i imagjinuar i kësaj Marrëveshtjeje.

Nuk përkon me të vërtetën se Viliams e paska shkruar së paku një germë të Marrëveshtjes së Ohrit. Nuk jam i sigurtë por mendoj se ka qenë në atë kohë këshilltar i paguar i Arbën Xhaferit.

Politikanët e Politbirosë se kësaj partie sëbashku me Viliams nuk kanë aspak dijeni dhe lidhje se decentralizimi i Irlandës Veriore dhe Belgjikës nuk janë rezultat i shkrimit të ndonjë profesori por janë zhvillime historike të ndjekura me lufta.

Irlanda Veriore lind si rezultat i luftës qytetare të viteve 1918-1921.

Atëbotë Irlanda ndahet prej Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Irlandës si shtet më vete dhe Irlandën Veriore si pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Vite të përgjakshme midis Armatës Republikane Irlandeze (IRA) me përfaqsues politik Sin Fein të Gerry Adams dhe Armatës britanike kanë mbaruar me nënshkrimin e Marrëveshtjes së të Premtes së Madhe-Good Friday Agreement , 22 maj 1998.

Konflikti i ka pasur bazat në diskriminimin e shumicës protestane ndaj pakicës katolike në Irlandën e Veriurt.

Belgjika është shtet federativ i krijuar në vitin 1830 nga pjesë të Vendeve të Ulta. Prej atëherë Belgjika ka pësuar 6 reforma kushtetuese dhe tash Belgjikën e përbëjnë regjioni i Flandrisë, regjioni i Valonisë, dhe regjioni i Brukselit. Kryeqytet

Regjionet kanë organet e tyre ligjëvënëse dhe ekzekutive: parlamentet dhe qeveritë regjionale.

Nuk e shohë të arsyeshme të shkruaj më tepër si si këto dy shtet nuk mund të jenë shembull i ndarjes regjionale të Maqedonisë.

Pol Viliams nuk e ka shkruar Marrëveshtjen e Ohrit.

Lexoni me kujdes më poshtë dhe do të shihni se kush e inicoi, kush e shkruajti dhe nënshkruajti dhe kush nuk e implementoi.

Kush e shkroi Marrëveshtjen e Ohrit ?

Me paraqitjen e krizës u paraqitën edhe dilemat se si duhet zgjidhur ajo. Që t’i ikë internacionalizimit të mëtejmë të kërkesave shqiptare presidenti Trajkovski doli me propozim se forcat politike legjitime në Maqedoni kanë aftësinë e tyre që të gjejnë zgjidhje të problemeve me nisjen e një dialogu i cili do të mund të zhvillohet në Kuvendin e Maqedonisë në komisionin për integrime evro-atlantike ose në tryeza të rrumbullakta të cilat do të bëheshin nën patronatin e tij.

Në fillim këtë propozim e kundërshtoi PPD e cila në dokumentin e titulluar " Kornizë për negociata për çështjet e hapura të shqiptarëve në Maqedoni" opinionin e patë informuar se "...PPD insiston që bisedimet maqedono-shqiptare të kenë karakter negocues dhe përveç palëve në bisedime të merr pjesë edhe faktori ndërkombëtar (EU, OSBE, NATO dhe SHBA). PPD konsideron se forum për diskutime nuk mund të jetë Komisioni për integrime evro-atlantike në Kuvendin e Maqedonisë e aq më pak Tryeza e rrumbullakët e inicuar nga ana e kryetarit Trajkovski, pa rend dite të përcaktuar që më parë, pa pjesmarrje të faktorit ndërkombëtar dhe pa status të definuar të pjesmarrësve në bisedime..." (Arkivi i PPD-së) .

këtij qëndrimi të PPD-së ajo qe e detyruar të merr pjesë në Tryezat e kryetarit Trajkovski nga presioni që asaj ia bënë faktorë ndërkombëtarë me kërcënim të izolimit të saj nga skena politike. Dëshmi e përmbajtjes së Komunikatës së PPD-së janë edhe konstatimet e mëvonshme të kryetarit të saj Imer Imeri i cili shprehet si vijon:"...Unë në fillim kur pashë se sa cekët duhet të shkonin në zgjidhjet politike, nuk u pajtova në asnjë mënyrë dhe i injorova, në disa takime nuk shkova. Faktori ndërkombëtar bënte presion që të shkonim në takim, pa marrë parasysh se ç’farë do të arrihej dhe ne në disa takime shkuam, në disa nuk shkuam..." (Intervistë Menaj 2004).

Ashtu siç raportonin mediat në gjuhën maqedonishte të asaj kohe si tv A1, gazetat "Vecer", "Dnevnik" liderët shqiptarë Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi nuk kanë marrur pjesë në tryezat e organizuara nga kryetari Trajkovski pas takimit të parë më 9 korrik 2001 si protestë për mospranimin e kërkesave politike shqiptare nga liderët e partive politike maqedonase të cilët në tryezë kishin rënë për ndryshime kozmetike kushtetutare duke mos i hyrë esencës së zgjidhjes së problemit.

Në takimin e fundit në nivel të liderëve të katër partive politike VMRO-DPMNE, LSDM,PDSH dhe PPD ku kanë marrur pjese edhe Solana dhe Robertson më 26 dhe 27 korrik 2001 palët bashkëbiseduese kanë ardhur në përfundim se një dialog politik maqedono-shqiptar pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve ka qenë i pamundur. Edhepse parimisht palët janë pajtuar që bisedimet të rinisin më 28 korrik në Tetovë ato e kanë ndruar për shkaqe sigurie destinacionin e tyre për në Ohër, në vilën Biljana, rezidencë e kryetarit të republikës.

Në takimin e parë që u mbajtë më 9 korrik 2001 në bisedimet e udhëhequra nga Trajkovski ku kanë qenë të pranishme katër partitë më të mëdha politike si VMRO-DPMNE, PDSH, LSDM dhe PPD pjesmarrës kanë qenë kryetari Imer Imeri . Dokumenti bazë ka qenë ai i shkruar nga eksperti francez Badinter në bashkëpunim me ekspertët maqedonas. PPD dhe PDSH kanë prezentuar dokumentin e tyre të përbashkët ku është kërkuar që Maqedonia të jetë shtet binacional me gjuhë shqipe të barabartë me maqedonishten, përfaqsim proporcional të shqiptarëve në institucionet e shtetit, me krijimin e institucionit të nënkryetarit të shtetit me të drejtë vetoe për çështje të rëndësishme nacionale, me polici lokale që do të reflektojë përbërjen nacionale të popullatës.

Përfaqsuesit e partive politike maqedonase i kanë hudhur poshtë këto kërkesa përderisa për përfaqsuesit e PPD-së dhe PDSH-së platforma e ekspertëve maqedonas dhe e Badinter-it ka qenë e papranueshme.

Më 10 korrik përfaqsuesve të partive politike në Tryezën e Trajkovskit u bashkangjiten lehtësuesi amerikan Pardew, ai i BE-së Leotar, përfaqsuesi i OSBE-së për minoritete Maks Van der Shtul dhe përfaqsuesi i NATO-s në Shkup Peter Feith.

Më 9 korrik në orët e vona, diku kah ora 20.00h në restoranin "Uranija" e pata ftuar në darkë familjarisht ambasadorin francez François Terral. Më vonë një telefonatë dikush ambasadorit ia vuri në die se lehtësuesi i BE-së François Léotard ka arritur në Shkup dhe ka shprehur dëshirë të na bashkangjitet në darkë. Pasi e shpreha kënaqësinë time që ai të jetë pjesë e tryezës, ai erdhi dhe deri vonë në mesnatë mes tjerash këmbyem mendime për krizën politike dhe kërkesat shqiptare. Ky takim spontan i dha lehtësuesit Leotard pasqyrë të qartë se çka ndodh dhe me cilat sfida do të ndeshet më vonë gjatë misionit të tij.

Pasi të dy palët nuk i pranuan platformat e njëri tjetrit e me qëllim të sinkronizimit të qëndrimeve përfaqsuesit ndërkombëtarë ditëve që vijnë ndarazi bëjnë takime me ekspertë të partive politike në bisedime dhe nga negociatorët shqiptarë arrijnë kompromisin që të hiqet dorë nga kërkesa për nënkryetar të shtetit me të drejtë të vetos për çështje që preknin identitetin kombëtar shqiptar si dhe për statusin e popullit konstituent të shqiptarëve. Grupin e ekspertëve të PPD dhe PDSH e përbënin Naser Zyberi dhe Xhevdet Nasufi, ndërsa ky i fundit ishte edhe nënkryetar qeverie.

Tekstin e përmirsuar dhe të korrigjuar të dytë lehtësuesit ua dorëzojnë partive politike më 16 korrik 2001.

Më 17 korrik 2001 televizioni A1 informon se të dërguarit special të BE dhe SHBA Leotar dhe Perdju e dorëzuan versionin e fundit të platformës së tyre për ndryshime kushtetutare. "...Sipas propozimeve të tyre gjuha shqipe e merr statusin e gjuhës së dytë zyrtare. Propozim-zgjidhja e re për çështjen e gjuhës, i cili praktikisht do të thotë shpallje e gjuhës shqipe për gjuhë të dytë zyrtare, e solli dialogun në krizë. Propozimi që mbrëmë e dhanë Leotar dhe Perdju është i papranueshëm për VMRO-DPMNE dhe LSDM. Kryetari Boris Trajkovski me bisedat telefonike me disa shtetarë botëror u ka sqaruar se ajo çka e ofrojnë lehtësuesit Leotar dhe Perdju faktikisht do të thotë federalizim i shtetit, se është jashtë kornizës së dialogut bazë e të cilit janë propozimet e Badinter.

Draft versionin e fundit mediumet maqedonase si dhe intelektualët e politizuan në paskajshmëri si problematik dhe një mbështetje e hapët e lehtësuesve Leotar dhe Perdju kërkesave shqiptare si një dështim të platformës Badinter mbështetur fuqishëm nga partitë politike maqedonase dhe si një mundësi shkatrimi të shtetit. Premieri Georgievski shkoi edhe më tej në kualifikimet duke deklaruar se kjo platformë është ofruar në "stilin e kaubojve" nga ana e përfaqsuesve Leotar dhe Perdju. Kjo ka qenë data më kritike e vazhdimit të bisedimeve maqedono-shqiptare në vitin 2001.

Shtatëmbëdhjet vite më vonë ambasadori Pardew boton librin e tij "Krijuesit e paqës: lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan" ( Peacemakers: American Leadership and the End of Genocide in the Balkans) ku një kaptinë ia përkushton edhe nënshkrimit të Marrëveshtjes së Ohrit. Sipas tij si kusht për tu arritur paqa në Maqedoni kanë qenë dy kushte: statusi plotësisht i barabartë i gjuhës shqipe me maqedonishten dhe fuksionimi i policisë lokale si dhe disa probleme sekundare siç ka qenë edhe Preambula e Kushtetutës. Një kokëdhimbje të posaçme ka shkaktuar statusi zyrtar i gjuhës shqipe për të cilin edhe vetë Pardew ka pasur dilema se a duhet të jetë ashtu dhe për të cilin pala maqedonase as që ka dashur të diskutojë.

Kthesa në bisedime është bërë, shkruan Pardew, (që e dëshmon edhe Imer Imeri në intervistë e që edhe ambasadori francez Terral ma pat thënë në Luksemburg) më 16 korrik 2001 në ditën e festimit të pavarësisë franceze kur pas kritikave të ashpra drejtuar Arben Xhaferit nga ana e Pardew se shqiptarët kanë parashtruar kërkesa joreale ky i fundit ka pranuar të bëjë lëshime dhe pranojë pozicion më të dobët të gjuhës shqipe dhe të tërhiqet nga kërkesa për kontroll të tërësishëm të policisë lokale.

"Shqiptarët pranuan draft-tekst me të cilin shqipja bëhet gjuhë e dytë zyrtare por jo të niveli të njejtë. I thashë Xhaferit se poqese më jep garanca se të gjithë liderët shqiptarë do ta pranojnë propozimin, do t’ia ofrojmë kryetarit si shansë më të mirë për marrëveshtje. Disa orë më vonë Xhaferi u paraqitë me garanca....megjithatë për shqiptarët statusi i gjuhës së tyre ishte prioritet parësor..." ( Pardew, 2018).

Më 29 korrik 2001 liderët shqiptarë Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi tentojnë ta bindin kryetarin Trajkovski që ta pranojë statusin e barabartë zyrtar të shqipes me maqedonishten si kusht për çarmatimin e UÇK-së por ai e refuzon këtë. Në mbrëmje të 29 korrikut pala shqiptare pranon kompromisin që GJUHA SHQIPE TË KETË STATUSIN E GJUHËS ZYRTARE POR QË NË TEKSTIN E MARRËVESHTJES MOS QËNDROJ TERMI "GJUHA SHQIPE" (por 20%). Më 31 korrik 2001 të dy palët e pranojnë kompromisin e gjuhës por Georgievski kërcënon me lëshimin e bisedimeve.

Pas kësaj date më tepër angazhime kanë pasur ekspertët se sa politikanët. Leotar në intervistën e tij për Dojçe Vele (2004)në maqedonisht falenderues për ndihmë juridike i është Badinter-it të njohur, Pardew e lëvdon për talentin e saj eksperten LAUREL MIREL e cila para se të angazhohet në Maqedoni ka punuar në kushtetutën e Bosnjës në Dejton e më vonë në Kushtetutën e Kosovës, por esenca është se baza themelore për Marrëveshtjen ka qenë Deklarata për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni e Grupit parlamentar të PPD-së e përforcuar me një pjesë të platformës së PDSH ku parashihej krijimi i institucionit të nënkryetarit të shtetit me të drejta të vetos për çështje kombëtare.

Pas kompromiseve të bëra, kur krejt mendonim se bisedimet do të ecnin tutje pa ndonjë pengesë serioze, më 8 gusht 2001 diku pas orës 9 në mëngjez më telefonoi dhe mu drejtua Menduh Thaçi, zavendëskryetari i PDSH-së me këto fjali: "...profesor duhet urgjent të vini në Ohër se këta tuajt refuzojnë ta nëshkruajnë Marrëveshtjen..."

Në fillim u gjeta i habitur sepse ende nuk kishte ardhur koha e nënshkrimit dhe kishte ende tema për negociata dhe nuk e dija se çka kishte ndodhur sepse ende ishte herët e unë nuk i kisha dëgjuar lajmet. Për çfarë nënshkrimi bëhet fjalë Menduh?- pyeta. Pala maqedonase don t’i ndërpresë bisedimet dhe të fillojë me granatime si përgjigje për atë që ka ndodhur në Karpallëk. Pasi e ndërpreva bisedën me Menduhin e ftova Daimin, një diplomat dhe aktivist I cili gjithnjë në këto raste më shoqëronte me “hundain” e tij “legjendar” me targa të Tetovës më të cilin u nisëm për Ohër.

Në kthesën për Prilep dhe Ohër policia kishte ngritur barrikade dhe duke parë targën e Tetovës policëve duke iu dridhur dorët na i kontrolluan dokumentet (derisa tjerët nga barikadatat na mbanin në shënjestër)dhe na shtrinë përtokë për ta kontrolluar veturën. Kur u prezentuam se kush jemi dhe ku shkojmë mezi na dhanë leje të shkojmë drejtë. Aty mësuam se çka në të vërtet kishte ndodhur në Karpallëk të Tetovës dhe pse policët ishin aq rigoroz dhe aq të frikësuar,

Me të arritur në Ohër e pyeta kryetarin Imer Imeri se çka po ndodh e ai mu përgjigj se vetë më në fund pajtohet ta parafoj Marrëveshtjen por këtë refuzuann ta bëjë kryenegociatori Naser Zyberi si edhe Abduladi Vejseli në cilësinë e nënkryetarit pasi ka ngelur pa negocuar Universiteti i Tetovës. Pasi kryetari Imer Imeri disa herë kishte biseduar me Solanën dhe pas këmbimit të mendimeve me Leotar dhe Van der Shtul kryetarit Imeri i thashë se poqese Naseri, Abduladiu dhe Azizi nuk e parafojnë atëherë rradha më bie mua dhe këtë do ta bëjë. Më në fund Marrrëveshtjen i pari e parafoi Imer Imeri pastaj Aziz Pollozhani. Siç dihet teksti i parafuar i Marrëveshtjes u nënshkrua në Shkup më 13 gusht 2001.

Siç dihet dhe është e shkruar në kronika Marrëveshtja Kornizë pas parafimit të saj më 8 gusht në Ohër në vilën “Biljana” u nënshkrua në Shkup nga liderët e PPD-së Imer Imeri, PDSH-së Arben Xhaferi, LSDM-së Branko Cërvenkovski dhe VMRO-DPMNE Lupço Georgievski.

Krahas kontributit të madh të liderëve të katër partive politike për nënshkrimin e Marrëveshtjes kornizë të Ohrit Imer Imeri, Arben Xhaferi, Lupço Georgievski, Branko Cërvenkovski dhe kryetarit Boris Trajkovski dhe bashkësisë ndërkombëtare, konsideroj se pa vullnetin e mire dhe angazhimin e plotë të përfaqsuesit të UÇK-së Ali Ahmetit dhe bashkëpunimit të tij të ngushtë me përfaqsuesin e NATO-s Piter Fejt dhe liderët e partive politike shqiptare , një gjë e tillë do të ishte e pamundëshme.

Nënshkrimi I kësaj marrëveshtjeje pati jehonë në popullatë për shumë arsye por dy ishin më kryesoret:

-me këtë iu dha fund një lufte të papritshme e cila filloi befas dhe u kundërshtua fuqimisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe të gjithë liderët politikë shqiptarë të asaj kohe në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri;

-- Negociatat inicuan dhe përfunduan dialogun ndëretnik midis maqedonasve dhe shqiptarëve të kurrorizuar me Marrëveshtjen e Ohrit;

-filloi procesin e integrimit më të shpejtë të shqiptarëve në institucionet e shtetit.

-Marrëveshtja nuk I mbylli të gjitha proceset e kontestuara sepse nuk e krijoi barazinë e plotë gjuhësore e institucionele, që ka qenë një nga kërkesat parësore të shqiptarëve që nga fillimi I pluralizmit politik.

-Implementimi I Marrëveshtjes kornizë krahas rezultateve të pranuara dhe të pamohueshme, nga arsyeja e moskuptimit të esencës së nënshkrimit të një marrëveshtjeje të tillë, soli ndasi dhe diskriminim brendashqiptar duke i dhënë shtimit të numrit të përfaqsimit shqiptar në institucionet e shtetit karakter thjesht partiak;

-implementimi bëri mosbarazi institucionale midis ushtarëve të UÇK-së dhe atyre të ARM-së ku me ligj të posaçëm këta të dytët fituan privilegje nga shteti për angazhimin e tyre në luftë kurse ata të parët (UÇK) ngelën me gishtin në gojë, të anatemuar “si terroristë” dhe u detyruan të luftojnë për ekzistencën e tyre dhe familjeve të tyre. Madje disa prej tyre vdiqën në varfëri të thellë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat