“Korridori 8”, Nikollovski: Premtime joreale nga qeveria e kaluar

Maqedonia

“Korridori 8”, Nikollovski: Premtime joreale nga qeveria e kaluar

Më: 27 gusht 2024 Në ora: 17:29
Aleksandar Nikollovski

Qeveria e kaluar ka dhënë premtime joreale sa u takon projektit dhe afateve për ndërtimin e akseve të Korridorit 8. Kështu thotë ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski i cili tani nuk thotë një datë konkrete se kur pret të përfundojë realizimi i pjesës që është në dorë të konzorciumit Behtel-Enka. Nikollovski megjithatë beson se deri në fund të mandatit të tij, do të ketë lidhje me autostradë nga Shkupi, deri në Ohër.

“Për fat të keq, qeveria paraprake e LSDM-së dhe BDI-së ka dhënë premtime joreale sa i takon projektit. Premtimi më joreal është që shpronësimi do të zgjasë deri në qershor të 2023-shit, që është para një viti, çështje totalisht joreale. Gjithashtu, në largim, qeveria teknike e Talat Xhaferit më 13 qershor kishte firmosur rritje të vlerës së marrëveshjes për 252 milion euro që është shumë jashtëzakonisht e madhe dhe të cilën ne e asgjësuam. Kanë bërë dhe kanë premtuar gjëra që s’kanë mundur t’i realizojnë, por ne jemi këtu që t’i zgjidhim problemet”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit.

Nëse ka nevojë për rishikim të projektit, Nikollovski nuk mohon që kjo të ndodhë. Një nga problemet më të mëdha, sipas tij është shpronësimi i tokave ku ndërtohet rruga. Nuk përjashtohet as mundësia e ndryshimeve ligjore.

“Ka probleme, dhe në fakt ky është problemi më i madh sa i takon shpronësimit. Bisedojmë me institucionet kompetente se si të gjejmë zgjidhjen më të mirë. Një pjesë e zgjidhjes është ekipimi i Drejtorisë për çështje pronësore juridike por duhet të mendojmë edhe për ndryshime ligjore që të përshpejtohen projektet sepse shpronësimi është problem në nivel të shtetit, është shumë i ngadalshëm, ka shumë procedura administrative, zgjat me vite dhe duhet të gjejmë zgjidhje dhe ta zgjidhim. Për momentin, kjo është kokëdhimbja më e madhe për të gjitha projektet në Maqedoni”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit.

Projekti për Korridorin 8 përfshin disa akse rrugore. Pjesa e parë, ndërtimi i Autostradës Kërçovë-Ohër, sipas Nikollovskit pritet të përfundojë në fund të vitit 2026. Pjesa e dytë Kërçovë-Bukojçan është në procedurë të përgatitjes së procedurës së tenderimit. Pjesa e tretë, bëhet projektimi i rrugës Bukojçan-Gostivar dhe shpronësimi i tokave ku do të kalojë traseja Gostivar–Tetovë.

Qeveria e kaluar premtoi kompletimin e Korridorit 8, ose gjithsej 108.8 kilometrave, deri në vitin 2027 dhe tha se do të kushtonte 1.3 miliardë euro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat