Qeveria miratoi informacionin për prishjen e Marrëveshjes midis HEJ DOOEL Shkup dhe Lotarisë së Maqedonisë së Veriut. Sipas njoftimit Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar informacionin për aktivitetet e ndërmarra për shkëputjen e Marrëveshjes për dhënien me qira të hapësirës administrative-afariste të lidhur midis HEJ DOOEL Shkup dhe Shoqatës Aksionare për organizimin e lojërave të fatit, Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Lotaria shtetërore për 13 muaj i ka paguar mbi 300 mijë euro kompanisë “Hej” për dhënien me qira të ish-restorantit për dasma “Festina” në Vizbeg, i cili ruan terminalet e lojërave të fatit të blera për 19 milionë euro. Lotaria Shtetërore i ka paguar 25 mijë euro kompanisë “Hej” për dhënien me qira të hapësirës që nga korriku i vitit të kaluar.
Nga ajo që tashmë dihet në opinion, grupi hetimor i MPB-së dhe hetues të Prokurorisë së Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë kontrolluar të gjithë dokumentacionin që lidhet me shpalljet e publikuara, tenderët, kontratat e lidhura, por edhe çdo dokumentacion tjetër shoqërues në lidhje me prokurimet publike. Krahas kësaj, nën hetim është edhe themelimi i tre kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit: “77 Bits”, “Vesuv” dhe “Mozart”.
Në këto kompani, shoqëria aksionare shtetërore ka 51% të pronësisë ndërsa kompanitë private nga Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, si bashkëpronarë posedojnë 49%. Një muaj më parë, me vendim të Qeverisë, dhe më parë në bazë të interpretimit autentik të disa neneve të Ligjit për Lojërat e Fatit, u konstatua se Lotaria shtetërore ka shpërndarë licenca në kundërshtim me ligjin. Ministria e Financave i ka dorëzuar të gjitha provat PTHP.