Mickoski: Është e rëndësishme të dihet se kur do t’i përfundojmë negociatat

Maqedonia

Mickoski: Është e rëndësishme të dihet se kur do t’i përfundojmë negociatat

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 20:15
Hristijan Mickoski

Para takimit të nesërm me kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Lejen në Bruksel, kryeministri Mickoski thotë se qëllimi i vizitës është Plani i rritjes dhe jo bisedimet për zhbllokimin e integrimeve evropiane, shkruan Alsat.

Nëse ngrihet tema e integrimeve evropiane, ai do të përcjellë frustrimet e popullit maqedonas.

“Siç ishte në të kaluarën kur ishim opozitë, edhe tani si pushtet, tash kemi edhe më shumë argumente, duam t’i paraqesim argumentet, duam të përcjellim zhgënjimin e qytetarëve të Maqedonisë atje, sepse zhgënjimi është i madh, sepse më shumë se dy dekada e gjysmë pasi filluam rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, më shumë se një dekadë e gjysmë pasi morëm raportin e parë pozitiv nga Komisioni Evropian për fillimin e këtyre negociatave, ne nuk jemi në gjendje për të filluar. Jo sepse nuk respektojmë kriteret e Kopenhagës, jo sepse nuk jemi adhurues të vlerave evropiane, por sepse ka pengesa të imponuara artificialisht që asnjë komb apo shtet nuk i ka pasur, siç i kemi ne”, tha Mickoski.

I pyetur nëse në takimin me Von der Lejen do të diskutohet për ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar, Mickoski tha se nuk dëshiron të komentojë, por edhe qëndrimet e Qeverisë për këtë çështje janë të qarta.

“Mjaft me disfata, mjaft me politika dhe diplomaci me shtyllë të përkulur dhe puthje këpucësh. Tani kemi politikën dhe diplomacinë, e cila bazohet në një rrugë të dyanshme. Unë dua që ne të flasim për vlerat, për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të dimë se nëse e nisim, siç na premtuan në vitin 2018, maksimum për tre, katër, pesë vjet, do ta përfundojmë atë rrugë dhe do të jemi anëtarë të Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri.

Mickoski në Bruksel pritet të prezantojë dokumentin për Planin e rritjes dhe do të ketë takime me përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm Mucunski gjatë vizitës në Bruksel pritet të takojë sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat