Nxënësit shqiptarë në Çashkë do të mësojnë në mektebin e xhamisë, derisa MASH ta ndërtojë shkollën në Banjicë

Maqedonia

Nxënësit shqiptarë në Çashkë do të mësojnë në mektebin e xhamisë, derisa MASH ta ndërtojë shkollën në Banjicë

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 15:39
Foto ilustrim

Derisa të përfundojë ndërtimi i shkollës së re në fshatin Banjicë, nxënësit shqiptarë nga Çashka do të mësojnë në objektin e xhamisë, e cila përdoret për studime fetare.

Fëmijët e klasës së parë dhe të dytë nga e hëna do të mësojnë në objektin e posaçëm në oborrin e xhamisë në lagjen Çashkë, sepse prindërit e fëmijëve maqedonas nuk janë pajtuar sërish që këta fëmijë të mësojnë në shkollën “Todor Janev” në Çashkë.

“Fëmijët do të mësojnë në një objekt që përdoret për edukim fetar. Është objekt i veçantë në oborrin e xhamisë dhe ka karakter të përkohshëm. Fëmijët do të fillojnë të mësojnë atje nga e hëna. Në Banjicë shkolla është në dorë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e jona si komunë ka mbaruar, tani duhet të zgjedhin një kontraktor dhe ta montojnë”.

“Në Çashkë nuk ka tensione, vetëm se jam i zhgënjyer që me gjithë tentativat që bëmë, nuk morëm pëlqimin nga prindërit që fëmijët shqiptarë të vazhdojnë studimet edhe dy-tre muaj në “Todor Janev” që të mos mësojnë në dhoma të tjera, por këtu në Çashkë nuk kishte mirëkuptim. Prindërit nuk e kanë lejuar dhe nuk mendoj se ka pasur nevojë për të ardhur deri aty, por problemet tashmë po zgjidhen mirë”, tha për “Fokus” kryetari i Komunës së Çashkës, Goran Stojanovski.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shenckës nuk është marrë asnjë informacion se mësimi për një pjesë të nxënësve në Çashkë është i organizuar në një objekt që nuk ka aktivitet arsimor, por thonë se organizimi i procesit arsimor në nivel lokal është përgjegjësi e komunës dhe kryetarit të komunës.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se thirrja publike është mbyllur dhe aplikimet janë duke u shqyrtuar. Ajo bëri të ditur se për këtë shkollë janë ndarë 6,5 milionë denarë, ndërsa pagesa do të bëhet varësisht se si do të kryhen punimet.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndërtojë një shkollë të re në fshatin Banjicë dhe procedura është në vazhdim. Ofertat e pranuara nga operatorët ekonomikë janë duke u shqyrtuar. Pas përfundimit të plotë të procedurës, aktivitetet do të nisin në terren, ku tashmë është ndërtuar një platformë betoni për ndërtimin e godinës, e cila do të ishte gati për 2 muaj”, thanë nga MASH.

Në dhjetor të vitit të kaluar, prindërit e nxënësve maqedonas protestuan që nxënësit shqiptarë të lejohen të mësojnë në atë shkollë. Ata para shkollës fillore “Todor Janev”, nuk i lejuan mësimdhënësit të hyjnë në objektin e shkollës

Sipas marrëveshjes pas protestave, statuti i shkollës do të mbetet i pandryshuar, kompetencat mbi për shkollën “Todor Janev” i janë kthyer kryetarit të komunës Goran Stojanovski dhe është emëruar drejtor i ri i shkollës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat