Debat për të rinjtë dhe politikën, “Sistemi, shpërnguli të rinjtë nga RMV”

Maqedonia

Debat për të rinjtë dhe politikën, “Sistemi, shpërnguli të rinjtë nga RMV”

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 19:17
Foto ilustrim

Kur bëhet fjalë për të rinjtë, nuk duhet të ketë politikë. Politikat rinore duhet të jenë prioritet, ndërsa Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore, duhet të përditësohet vazhdimisht. Këto ishin disa nga konkluzionet e debatit të parë publik të përbërjes së re të Klubit parlamentar për Çështjet dhe Politikat Rinore. Zëvendësministri i Politikës Sociale Gjoko Vellkovski tha se mungesa e funksionimit të një sistemi në vend ka detyruar shumë të rinj të largohen nga vendi.

“Sot kemi demografi që nënkupton ulje të natalitetit, shkolla me më pak se 20 mijë nxënës të regjistruar në paralelet e shkollave fillore dhe të mesme. Fatkeqësisht, kemi një largim të madh të të rinjve nga Maqedonia dhe kjo e shkakton fotografinë e keqe në demografi”, Gjoko Velkovski, zv.ministër i politikës sociale, demografi dhe të rinj.

Deputetët vlerësojnë se janë të nevojshme ndryshime urgjente për të parandaluar ikjen e trurit nga vendi. Mes tjerash, modernizim të kushteve në arsim dhe punësim të të rinjve.

“Interesi i të rinjve dhe politikat rinore duhet patjetër të jenë prioritet kryesor i çdo qeverie në botë, posaçërisht në Maqedoni sepse bëhet fjalë për një vend që ka problem serioz me ikjen e trurit nga vendi qe do te na çoj në një situatë që vendi dhe kombi ynë një ditë të shuhet që askush nga ne nuk e dëshiron,” tha Sergej Popov, deputet.

“Fokus kërkon papunësia e të rinjve që do të duhet t’i gjejmë një zgjidhje afatgjate, një zgjidhje sistematike, barriera në arsim dhe trajnim profesional,” deklaroi Rina Ajdari, deputete.

Organizatat e shumta joqeveritare vlerësojnë se gjendja e krijuar në vend kur bëhet fjalë për të rinjtë është rezultat i partizimit thuajse të çdo aktiviteti rinor. Ndërkohë kërkojnë ndëshkime për mosbazimin e ligjit për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat