Një pjesë e prindërve të Vizbegut kanë paralajmëruar protestë për në ora 14 para shkollës së re fillore “Vizbeg”.
Tashmë tre javë shkolla akoma nuk ka nisur me procesin mësimor pavarësisht regjistrimit të nxënësve në klasë të parë dhe transferimit të nxënësve tjerë nga shkollat ku kanë mësuar deri më tani. Për Alsat, prindërit u ankuan se fëmijët kanë humbur shumë nga mësimi, posaçërisht ato në klasës së parë.
Kohë më parë, drejtori Kadri Elezi tha se mësimi nuk ka nisur për shkak të mungesës së stafit mësimor duke shtuar se po vijojnë procedurat për punësimin e mësimdhënësve dhe personelit tjetër të nevojshëm. Fillimisht, mësimin në objektin e ri shkollor do ta ndjekin nxënësit nga klasa e parë e deri në atë të pestë.
Për shkak të mungesës së shkollës fillore në Vizbeg, qindra nxënës të kësaj lagjeje janë të detyruar të mësojnë në shkolla të ndryshme të tri komunave të Shkupit, Butel, Çair dhe Shuto Orizarë duke bërë rrugë në këmbë mbi 3 kilometra.