Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, u takua sot me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegun. Gjatë këtij takimi të rëndësishëm, u diskutua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy komunave në fusha kyçe si kultura, turizmi, sporti dhe zhvillimi ekonomik.
“Dy kryetarët biseduan për mundësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta dhe aplikimin në fondet evropiane, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe zhvillimit të përbashkët të të dy qyteteve. Tetova dhe Ulqini kanë dëshmuar një përkushtim të veçantë për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, duke i afruar qytetarët e të dyja komunave dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi përmes kulturës, sportit dhe turizmit”, njoftoi Komuna e Tetovës.
Kasami theksoi rëndësinë e këtyre bashkëpunimeve si një faktor i rëndësishëm për të përparuar në rrugën e integrimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
“Vetëm të bashkuar mund të zhvillojmë qytetet tona dhe të ecim përpara, u shpreh ai, duke nënvizuar përkushtimin e Komunës së Tetovës për të mbështetur çdo nismë që vjen nga ky bashkëpunim me Ulqinin”, citohet në kumtesë.