BDI: Shqiptarët nuk do të pranojnë që të përdoren si vegla në skenarë të shkruar në selitë e partive maqedonase

Maqedonia

BDI: Shqiptarët nuk do të pranojnë që të përdoren si vegla në skenarë të shkruar në selitë e partive maqedonase

Më: 23 shtator 2024 Në ora: 10:34
Foto ilustrim

Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media thotë “se shqiptarët nuk do të jenë vegla të skenarëve të të tjerëve dhe për partitë shqiptare në pushtet”. Nga BDI thonë se “në vend që të ndërtojnë politika që i shërbejnë interesave kombëtare të shqiptarëve, këto subjekte janë bërë vegla të forcave që synojnë të dëmtojnë interesat tona”.

“Pas zbulimit të turpshëm të djeshëm, ku deklaratat e disa partive shqiptare dolën se janë shkruar në selitë e partive maqedonase dhe më pas janë dorëzuar për të sulmuar BDI-në dhe liderin tonë, Ali Ahmeti, duam të nënvizojmë se ky akt ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë të thellë në mesin e shqiptarëve. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë që të përdoren si vegla në skenarë të shkruar në selitë e partive maqedonase”.

“Në vend që të ndërtojnë politika që i shërbejnë interesave kombëtare të shqiptarëve, këto subjekte janë bërë vegla të forcave që synojnë të dëmtojnë interesat tona. Ky është një sulm jo vetëm ndaj një partie apo një individi, por një përpjekje për të ulur dinjitetin dhe aspiratat kombëtare të shqiptarëve”.

“BDI mbetet e vendosur në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, me transparencë dhe dinjitet. Nuk do të lejojmë që këto manovra të ulëta të na ndalin në rrugën tonë drejt përmbushjes së aspiratave të shqiptarëve për barazi dhe përfaqësim të drejtë. Ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar dhe vigjilentë ndaj këtyre përpjekjeve për të na përçarë dhe për të manipuluar opinionin publik”, thonë nga BDI.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat