Gjithsej 3,9 miliardë euro është borxhi i qytetarëve të Maqedonisë ndaj bankave, thuhet në raportin e Bankës Popullore. Sipas këtyre vlerësimeve, borxhi i popullsisë ndaj bankave në muajin gusht ishte 0.4 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa në nivel vjetor huamarrja është rritur për 7.2 për qind. Qytetarët gjatë muajit gusht kanë marrë hua kryesisht me kredi devizore, por në përgjithësi në nivel vjetor mbizotërojnë kreditë në denarë që qytetarët i tërheqin nga bankat.
Statistikat tregojnë se kur qytetarët kanë nevojë për para, ata fokusohen më së shumti në kreditë konsumatore, pjesëmarrja e të cilave në shumën totale të kredisë është 2.02 miliardë euro. Në muajin gusht, kërkesat për kredi konsumatore shënuan rritje prej 0.3 për qind, ndërsa rritje vjetore prej 6.4 për qind. Te kreditë banesore, rritja mujore është 0.8, ndërsa rritja vjetore për 10.8 për qind. I pyetëm edhe qytetarët nëse mund të mbijetojnë pa kredi dhe ata me të cilët biseduam theksuan se është pothuajse e pamundur.
A mund të mbijetojë një familje pa marrë hua nga bankë?
“Nuk mundet, duhet të marrë nga banka, minusin, si quhet, për të jetuar. Ose të punojë, të bëjë diçka diku. Shoh pensionist që ka ardhur në punë dhe thotë se punon për të siguruar bukën e gojës”, tha një qytetar.
“Epo, 70 për qind nuk munden, kështu që nuk mund…”, tha një tjetër qytetar.
“Është e vështirë, gjithçka është shtrenjtë, në fakt e shtrenjtë, është e shtrenjtë për disa, për disa nuk është e shtrenjtë”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Për kë si nuk e di, kush punon mund t’ia dalë”, tha një tjetër qytetar.
Ajo që është gjithashtu interesante është se borxhi i qytetarëve ndaj bankave është më i madh se borxhi që kanë kompanitë ndaj tyre. Pra, sipas këtyre të dhënave kompanitë u kanë borxh bankave një shumë prej 3.64 miliardë euro. Gjatë muajit të fundit, kreditë e miratuara për kompanitë kanë rritje prej 0.5 për qind, ndërsa rritja vjetore është 8.1 për qind. Sipas Bankës Popullore, kjo është tërësisht rezultat i rritjes së kreditimit në denarë, ndërsa kreditë në valutë të huaj kanë shënuar rënie.