OBRM-PDUKM kërkon interpelancë ndaj Ilire Dautit

Maqedonia

OBRM-PDUKM kërkon interpelancë ndaj Ilire Dautit

Më: 23 shtator 2024 Në ora: 21:55
Marija Miteva

OBRM-PDUKM këmbëngul që të zhbllokohet procedura për ligjin e “branitellave”. Deputetja e kësaj partie, Maria Miteva u ka bërë thirrje sot deputetëve të LSDM-së, të cilët janë anëtarë të Komisionit të Punës dhe Politikës Sociale të nënshkruajnë kërkesën që kryetarja e komisionit, Ilire Dauti nga Fronti Evropian, të vendosë ligjin në rend dite.

“Deputetët e OBRM-PDUKM-së dhe Koalicionit Maqedonia jote, anëtarë të Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, i kanë bërë thirrje deputetëve të LSD-së nga i njëjti komision që ta nënshkruajnë kërkesën drejtuar Ilire Dautit për thirrjen e seancës së Komisionit me pikën e rendit të ditës – Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Republikës së Maqedonisë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, me procedurë të shkurtuar që është dorëzuar dhe është propozim i deputetes Slavjanka Petrovska”, tha Marija Miteva nga OBRM-PDUKM.

Ajo ka paralajmëruar se, nëse kryetarja e komisionit Ilire Dauti nuk e cakton seancën për këtë ligj, do të paraqesin kërkesë për shkarkimin e saj ose interpelancë.

“Shfrytëzoj rastin që edhe një herë t’i bëj thirrje deputetes Slavjanka që të deklarohet publikisht për qëndrimin e LSD-së lidhur me këtë propozim. Në të kundërtën, këtë kërkesë deputetët e VMRO-DPMNE-së do ta paraqesin pa mbështetjen dhe nënshkrimet e deputetëve të LSD-së, gjë që praktikisht do të tregojë synimin e tyre të vërtetë për politizim”.

Kuvendi javë më parë votoi nevojën që ndryshimet ligjore për “branitellat” të sillen me procedurë të shkurtuar. Megjithatë, kryetarja e komisionit amë, Ilire Dauti nuk e caktoi seancën e komisionit në afat prej 24 orësh. Partitë shqiptare janë kundër miratimit të këtij ligji, pasi vlerësojnë se, është diskriminues.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat