Nga sot 73 produkte ushqimore do të jenë më lirë. Sot është publikuar edhe vendimi në “Gazeta Zyrtare”.
Çmimet e 73 produkteve ushqimore, të cilat janë pjesë e shportës së konsumit të vjeshtës, duhet të jenë më të ulëta deri më 31 tetor dhe produktet e përfshira në këtë shportë duhet të shënohen qartë me mbishkrimin “Më pak harxhime, më shumë për ju”.
Vendimi është marrë nga Qeveria me propozimin e grupit punues të formuar nga Ministritë e Ekonomisë, Financave dhe Bujqësisë.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, në një konferencë për media tha të premten se vendimi është marrë në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, për indeksin e kostos së jetesës, të cilat tregojnë se në gusht të këtij viti krahasuar me dhjetorin e viti të kaluar, ka një rritje të kostove të ushqimit me katër për qind.
Sipas Qeverisë, në shportën e konsumit të vjeshtës përfshihen produktet ushqimore që përdoren më së shumti nga qytetarët, ndërsa sipas opozitës, masat e Qeverisë janë të vonuara dhe nuk do të ndikojnë në çmimet dhe standardet e qytetarëve.