Takimi i përbashkët ndërqeveritar i Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë do të mbahet sot në Ohër, pasi paraprakisht kryeministrat e dy vendeve, Hristijan Mickoski dhe Viktor Orban do të kenë takim kokë më kokë.
Takimi do të mbahet në hotelin “Ineks Olgica”, ndërsa menjëherë më pas pritet që të dy kryeministrat të mbajnë konferencë për shtyp në të njëjtin lokacion.
Kryeministri hungarez, i cili e kryeson delegacionin qeveritar, prej ditës së djeshme është për vizitë në vend.
Hungaria aktualisht kryeson BE-në dhe Orban është gjithashtu president i Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit.
Siç informojnë nga Qeveria, në margjinat e vizitës dyditore është planifikuar një shëtitje në Ohër, një vizitë në kishën Shën Mëiar, Teatrin antik dhe kompleksin e manastireve Shën Naum, si dhe kryeministrat e të dy vendet do të vendosin lule para monumentit të shenjtorëve Ciril dhe Metodi në Ohër.
Në Ohër po merren masat e nevojshme të sigurisë, ndërsa është paralajmëruar regjim i përkohshëm i qarkullimit për lëvizjen e sigurt dhe të qetë të delegacionit nëpër qytet dhe rrethinë. Ndalohet ndalimi dhe parkimi i automjeteve në rrugët “Ilindenska” dhe “Kosta Abrash”, dhe derisa automjetet e delegacioneve janë në lëvizje, bulevardet “Turistiçka” dhe “Iluministët maqedons”, rrugët “Abas Emin” dhe “Ciril dh Metodi” do të mbyllen përkohësisht për trafikun”, si dhe rruga rajonale Ohër – Shën Naum.
Janë zhvendosur edhe automjetet nga parkingjet në bulevardin “Turistiçka” dhe “Kosta Abrash”, “Car Samoil” dhe në Keji “Maqedonia”.
Gjatë Samitit të NATO-s në Uashington, i cili u mbajt në gjysmën e parë të korrikut, Mickoski dhe Orban u pajtuan për një kredi nga Hungaria në vlerë prej 500 milionë eurove. Më 17 shtator në Kuvend u votua Ligji për kredinë hungareze, me procedure të shkurtuar.
Kredia nga Banka hungareze Eksport-Import, kompani private me përgjegjësi të kufizuar, do të tërhiqet në një këst, afati i shlyerjes është 15 vjet, duke përfshirë një periudhë mospagimi prej tre vjetësh, ndërsa norma e interesit është fiksuar në 3.25 për qind. Ai do të shlyhet me 24 këste gjashtëmujore, në datat 15 shkurt dhe 15 gusht të çdo viti.
Opozita në Kuvend më pas akuzoi se marrëveshja e kredisë është bërë me dyer të mbyllura, me qëllime tejet të dyshimta dhe ka sjellë pasoja politike dhe ekonomike me rritje enorme të borxhit publik. Përkundër tyre, VMRO-DPMNE tha se procedura është transparente dhe se për herë të parë ka një kredi për të cilën paraprakisht dihet se për çfarë do të shpenzohet dhe se do t’i ndihmojë komunat dhe ekonominë.
Në vitin 2013, Orban ishte për vizitë zyrtare në vend, kur iu dha Urdhri “8 Shtatori” për merita të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit paqësor ndërmjet Maqedonisë dhe Hungarisë. Urdhrin ia ka dorëzuar presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov, ndërsa ka pasur takime edhe me kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruevski.