Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në kuadër të pjesëmarrjes në Asamblenë e 79-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, realizoi takim me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alan Berse.
Siç kumtuan nga Kabineti i Siljanovska Davkovës, në takim u shkëmbyen mendime për qëllimet dhe prioritetet që kanë për qëllim demokratizimin e shoqërisë së Maqedonisë së Veriut, të drejtat e njeriut dhe sundimin e së drejtës. Duke riafirmuar përkushtimin për bashkëpunim të mëtutjeshëm konstruktiv me Këshillin e Evropës, Siljanovska Davkova shprehu kënaqësinë nga mbështetja e vazhdueshme për harmonizimin tonë të plotë me standardet dhe vlerat evropiane.
“Presidentja Siljanovska Davkova theksoi rëndësinë e veprimit kredibil të Bashkimit Evropian në lidhje me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kur përparimi i kandidatëve individualë është qartë i merituar. Ajo u përqëndrua gjithashtu në sigurimin e domosdoshëm të harmonizimit me obligimet që vendet anëtare i kanë marrë, përfshirë zbatimin e duhur të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut”, thuhet në kumtesë.
Siljanovska Davkova dhe Berse diskutuan gjithashtu për situatat aktuale në sferën e sigurisë në Evropë, me theks në luftën në Ukrainë, si dhe për nevojën për përkushtim dhe qasje të përbashkët ndaj sfidave aktuale dhe të ardhshme, siç janë ndikimi i teknologjive të reja dhe ndryshimet klimatike ndaj resurseve njerëzore.
Në takim, presidentja Siljanovska Davkova i ka dërguar urime sekretarit të përgjithshëm të sapozgjedhur të Këshillit të Evropës, Alan Berse, duke shprehur dëshirat e sinqerta për përmbushje të suksesshme të misionit të rëndësishëm dhe vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm me institucionet e Maqedonisë së Veriut.