Murtezani-Val: Nevojitet vazhdimi i proceseve eurointegruese

Maqedonia

Murtezani-Val: Nevojitet vazhdimi i proceseve eurointegruese

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 12:24
Foto nga takimi

Sot, Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani realizoi takim me shefin e misionit të OSBE-së në Shkup, Ambasadorin Kilian Val, në të cilin u riafirmua përkushtimi i përbashkët për progresin e agjendës aktuale reformuese të Maqedonisë së Veriut, njoftojnë nga Ministria për Çështje Evropiane.

Bashkëbiseduesit, thuhet në njoftim, theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit për përforcimin e proceseve demokratike, përmirësimin e kapaciteteve institucionale dhe shtytjen e transparencës në qeverisje – fusha kyçe të nevojshme për integrim të suksesshëm në Bashkimin Evropian.

“Murtezani theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në harmonizimin e standardeve të BE-së, proces që përfshin zbatimin themelor në sferat e sundimit të së drejtës duke përfshirë edhe zbatimin e reformave në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, dhe krimit të organizuar si dhe përmirësimin e lirive të medias. Ai theksoi se rruga evropiane nuk është vetëm prioritet strategjik, por edhe nxitës i reformave që do të avancojnë zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Ambasadori Val nënvizoi mbështetjen e OSBE-së për vendin, në veçanti në sferat e promovimit të të drejtave të njeriut, avancimit të integritetit zgjedhor dhe rritjes së besimit të opinionit në institucionet shtetërore. Ai gjithashtu theksoi rolin e OSBE-së në mbështetjen e dialogut ndëretnik dhe shtytjen e proceseve politike gjithëpërfshirëse, si elemente kyçe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Murtezani dhe Val ranë dakord për nevojën e bashkëpunimit të vazhdueshëm të partneritetit, në veçanti lidhur me ndihmën teknike dhe programeve për ngritjen e kapaciteteve për përforcimin e sundimit të së drejtës dhe mbrojtjen e lirive themelore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat