Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti bashkë me kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami, morën pjesë në Festivalin e parë gastronomik shqiptar në Berlin.
Festivali tuboi në një vend qindra kompani nga Ballkani, ndërsa prezent ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Një ngjarje e këtillë, që na bashkon të gjithëve në një skenë të madhe ndërkombëtare, na bën krenarë si komb dhe na tregon se sa shumë kemi për të ofruar. Faleminderit organizatorëve për këtë mundësi dhe përkushtimin e tyre në promovimin e imazhit pozitiv të shqiptarëve nëpër botë. Le të vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të tregojmë botës se shqiptarët janë të gatshëm të shkëlqejnë kudo”, raportohet të ketë thënë Mexhiti.
“Kryetari i Lëvizjes BESA, njëherit kryetar i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkërisht me Ministrin e Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, zv, Kryeministrin e parë të RMV-së, Izet Mexhiti, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, filantropin Lazim Destani si dhe qindra biznismenë të suksesshëm nga brenda dhe jashtë vendit morën pjesë në ceremoninë hapëse të panairit tregtar, më të madhin të organizuar ndonjëherë nga shqiptarët jashtë vendit, pikërisht këtu në zemër të Europës në Berlin”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Besa.
Global Albanian Gastronomy Festival (GAGF), nën moton “Aty ku tradita takohet me tregtinë”, synon të bashkojë kompani nga sektori i ndërtimit, dizajnit & dekorimit, sektori i zinxhirit të furnizimit me ushqime dhe pije, sektori i shërbimeve digjitale & outsourcing, si dhe sektori i investimeve në turizëm, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi dhe do t’i takoj ata me mbi 3000 pjesëmarrës nga diaspora shqiptare në Evropë dhe Amerikë, të cilët janë angazhuar suksesshëm në sektorin e gastronomisë.