Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, sot ka komentuar thirrjen e kryetarit të BDI-së, i cili kërkoi që koalicioni VLEN të lëshojë qeverinë dhe t’i bashkëngjitet opozitës.
Ai ka theksuar se Ahmeti dalëngadalë po mësohet të jetë në opozitë dhe sipas tij duhet vetëm të ambientohet.
“Ahmeti mendoj se dalë ngadalë po mësohet në opozitë, shpresoj se do të mësohet edhe më shumë dhe mendoj se duhet adaptim, asgjë më shumë”, tha Arben Taravari.
Edhe Mickoski i është përgjigjur Ahmetit, duke shprehur keqardhje që Ahmeti e krahasoi partinë e tij me gomën rezervë.
“Prisja më shumë kreativitet, por kjo është ajo që është. I dëshiroj ditë opozitare ku do të reformohen , ta gjejnë identitetin e tyre programor, të reformohen me kuadër, ndoshta në ndonjë cikël zgjedhor do të paraqiten me qasje tjetër nga ajo që pamë në 20 vitet e kaluara, qasje e cila kishte për qëllim që sa më shumë të vidhet”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Duke komentuar paralajmërimet për protesta nga ana e BDI-së, Mickoski tha se protestat janë mjet demokratik dhe është zgjedhje e tyre. Ndërkohë kërkesën e Ahmetit për veting, Mickoski e cilësoi si satirë.