Dimitrieska-Koçoska: Nuk besoj se deri në fund të vitit do të ketë ulje të borxhit publik

Maqedonia

Dimitrieska-Koçoska: Nuk besoj se deri në fund të vitit do të ketë ulje të borxhit publik

Më: 4 tetor 2024 Në ora: 20:09
Gordana Dimitrieska Koçoska

Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska nuk beson se deri në fund të vitit do të ketë ulje të borxhit publik. Në një deklaratë për mediat në Shtip, ministrja tha se projeksionet janë dhe supozohet se borxhi publik do të arrijë 66 për qind.

“Kjo është vlera maksimale, që është projektuar. Nuk besoj që këtë vit do të mund të ketë ulje. Por, prandaj punojmë në ndryshimin  e konceptit, si e shohim të ardhmen dhe si do ta zhvillojmë ekonominë përmes investimeve, rritjes më të madhe ekonomike. Gjithsesi që ngadalë do ta konsolidojmë edhe borxhin publik”, deklaroi Dimitrieska-Koçoska.

E pyetur për reagimet e disa kompanive se nuk kanë rimbursim të rregullt të TVSH-së, Dimitrieska-Koçoska tha se nuk mund të pajtohet se firmat presin një periudhë të gjatë.

“Ne rimbursojmë TVSH-në çdo muaj. Ka kompani ku pritja mund të jetë më e gjatë, sepse ka situata të caktuara që duhet të hetohen më tej. Ideja është që keqpërdorimi më i madh që ka ndodhur në shtatë vitet e fundit ka qenë pikërisht në pjesën e rimbursimit të TVSH-së, që do të thotë se në atë pjesë po shkojmë me kujdes, edhe një herë me kontrolle shtesë. Të mos harrojmë se udhëheqsia e mëparshëm në Drejtorinë për të Ardhura Publike ka urdhëresa të hapura në vlerë prej më shumë se një miliard e katërqind milionë denarë në bazë të rasteve të vjetra”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Ajo theksoi se së bashku me ekipin e Drejtorisë për të Ardhura Publike punojnë në raste të tilla dhe siç përfundojnë, ashtu edhe bëhet kthimi i TVSH-së së kompanive.

Për vitin e ardhshëm në buxhet, siç deklaroi sot Dimitrieska-Koçoska, nuk janë parashikuar mjete për EMV-në. Pajtohet se EMV është në një gjendje të keqe, por siç theksoi, deri në fund të javës së ardhshme pritet të lidhet marrëveshje me bankat vendore për kreditim përmes të cilave do t’i mbyllin borxhet ekzistuese, të cilat janë më shumë se 100 milionë euro.

“Më e rëndësishme se gjithçka është se menaxhmenti i EMV-së punon me përkushtim dhe kompania do të sigurojë kushte më të mira për periudhën e ardhshme për ta servisuar kredinë që tani e merr”, thotë Dimitrieska Koçoska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat