VLEN: BDI dhe Ali Ahmeti nuk kanë kredibilitet të flasin për çështjet shqiptare

Maqedonia

VLEN: BDI dhe Ali Ahmeti nuk kanë kredibilitet të flasin për çështjet shqiptare

Më: 12 tetor 2024 Në ora: 17:21
Foto ilustrim

Koalicioni VLEN ka reaguar sërish ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim, duke thënë se të njejtët nuk kanë kredibilitet që të flasin për shqiptarët.

Nga VLEN thonë se Ali Ahmeti kishte kohë 22 vite në qeveri që t’i rregullonte disa gjëra për të cilat sot po shpreh shqetësim.

Reagimi i plotë:

Sa më shumë ulëron Bashkimi Demokratik për Integrim, aq më shumë demaskohen gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre dhe aq më thellë bien në grackat të cilat vetë i kanë ndërtuar për të varrosur kundërshtarët e tyre politikë.

E para, argumenti i Ali Ahmetit për legjitimitetin është demaskuar me faktin se të paktën tre nga deputetët e “Frontit European” nuk flasin shqip, dhe opinionit shqiptar i drejtohen në gjuhën maqedonishte! Në këtë grup janë ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Sali Murat, deputeti milioner Ismail Jahoski i njohur si Pucko Petrol dhe deputeti Bejxhan Ahmet.

E dyta, Ali Ahmeti moti e ka humbur të drejtën ekskluzive për të folur në emër të Marrëveshjes së Ohrit. Duke qenë gjatë kohë në pushtet dhe për ta ruajtur kolltukun e tij, përgjatë viteve Ali Ahmeti ka bërë me qindra koncesione dhe deformime të definicioneve bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Gjatë mandatit 22 vjeçar të Ali Ahmetit, zyrtarizimi i gjuhës shqipe është kthyer në çështje pazaresh, decentralizimi i pushtetit ka degraduar në çështje banale, ndërsa i është kushtuar vëmendje vetëm pasurimit të klikës së funksionarëve të përjetshëm.

E treta, Ali Ahmeti nuk ka më kredibilitet moral të flasë për statusin e ish – ushtarëve të Ushtrisë Çlrimitare Kombëtare. Për fat të keq, gjatë të gjitha mandateve të Ali Ahmetit janë burgosur e vrarë ish ushtarë të UÇK-së . Nënkryetari i tij Arbër Ademi është kapur me presh për dore! Opinioni ka parë në qarkullim kallëzimin penal që i ka bërë Arbëri shtetit për shkak të “ikjes nga arresti shtëpiak” të Blerim Ramadanit. Përveç kësaj, të gjitha qeveritë e Ali Ahmetit deri më tani, rregullisht kanë ndarë mjete financiare për mbështetjen sociale të branitellave. Por, asnjë qeveri e Ali Ahmetit deri më tani nuk e ka zgjidhur statusin e ish ushtarëve të UÇK-së.

E katërta, Ali Ahmeti ka investuar kredibilitetin dhe fuqinë e subjektit të tij që, përmes kontrollit të gjyqësorit, ta shpëtojë Nikolla Gruevskin nga burgu. Fakti që Sasho Mijallkov sot është qytetar i lirë dhe të gjitha dënimet e tij u vjetërsuar sepse BDI bashkë me Krenar Llogën e ndryshuan Kodin Penal nuk do asnjë argument shtesë se Ali Ahmeti ka qenë jetësisht i interesuar dhe ka punuar për ta shpëtuar Gruevskin e për ta kthyer atë si hero nga Budapesti.

E pesta, Ali Ahmeti kishte 22 vite kohë, gjashtë mandate qeverisëse, Ministrin për punë të jashtme dhe KRYEMINISTRIN për të zgjidhur çështjet e hapura me fqinjët dhe për ta bërë Maqedoninë e Veriut vend anëtar të Bashkimit Evropian. Ali Ahmeti nuk ia doli. Tani është koha që Ali Ahmeti të bëjë opozitën. Ndërsa prioritetet dhe politikat e shtetit, si dhe orientimet strategjike të tij i përcakton qeveria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat