Pushteti dhe opozita me akuza për ngecjen e RMV-së në rrugën drejt BE-së

Maqedonia

Pushteti dhe opozita me akuza për ngecjen e RMV-së në rrugën drejt BE-së

Më: 15 tetor 2024 Në ora: 22:55
Foto ilustrim

Skena politike në Maqedoninë e Veriut shpreh keqardhje për vendimin e BE-së për ta ndarë vendin nga Shqipëria në rrugën drejt integrimit në familjen e madhe evropiane.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti thekson se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë gjithçka që mundet që të sigurojë të ardhme evropiane për qytetarët, duke demonstruar lidership dhe përcaktim.

“S’ka se si mos të përmend dëshpërimin që Maqedonia e Veriut nuk është sot në krah të Shqipërisë për arsye të bllokimit të rrugëtimit tonë evropian si pasojë e mos zbatimit të kornizës negociuese të miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Maqedonia e Veriut. Ne duhet bërë çmos që të sigurojmë dhe vulosim të ardhmen evropiane për qytetarët tanë duke demonstruar lidership dhe përcaktim. Alternativë tjetër, nuk kemi! Evropa është rruga jonë e vetme”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Akuzat për mos suksesin e Maqedonisë nuk munguan as në taborin politik maqedonas. Keqardhje shprehin edhe nga LSDM.

Siç thonë prej atje, OBRM-PDUKM edhe si opozitë por edhe si pushtet, qëllimisht bllokon rrugën evropiane të shtetit.

“Në vend se të jetë ditë kur të gjitha subjektet politike dhe qytetarët së bashku do të gëzohen për një sukses të ri kombëtar dhe shtetëror, me shpresë për një të nesërme më të mirë, sot me hidhërim mund të konstatojmë se Maqedonia më nuk ka perspektivë europiane. Askush tjetër nuk është fajtor për këtë përpos Mickoskit dhe OBRM-PDUKM-së”, thanë nga LSDM.

OBRM-PDUKM ndërkohë ironizon me LSDM-në dhe BDI-në të cilat mburreshin se gjoja vendi ka filluar negociatat përmes fotografive nga aeroplani.

E pikërisht për këto shkaqe, thonë se LSDM u dënua në zgjedhje.

“Pasi bënë “selfie” fotografinë famoze në aeroplan nga Brukseli, Maqedonia është gjithnjë e më larg Bashkimit Evropian, e njëjta edhe aq më tepër na largoi nga dyert e saj për shkak të politikave jo të mira të LSD-BDI. Koalicioni kriminel LSD-BDI, në vend se siç premtuan fillim të negociatave me Bashkimin evropian, na distancuan prej saj”, u shpreh Mile Lefkov nga OBRM-PDUKM.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat