KE ndan mbi 380 milionë euro për 133 projekte mjedisore në Evropë, 1.2 milionë për Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

KE ndan mbi 380 milionë euro për 133 projekte mjedisore në Evropë, 1.2 milionë për Maqedoninë e Veriut

Më: 21 tetor 2024 Në ora: 19:40
Foto ilustrim

Komisioni Evropian sot ka shpallur vendimin për ndarjen e mbi 380 milionë eurove për realizimin e 133 projekteve të reja në mbarë Evropën në kuadër të Programit “Life” për aktivitete që lidhen me mjedisin dhe klimën. Këto fonde përfshijnë mbështetjen për përmirësimin e efiçencës energjetike të ndërtesave ekzistuese të banimit në vendin tonë.

Shuma prej 380 milionë euro përfaqëson më shumë se gjysmën e totalit të investimeve të nevojshme për realizimin e projekteve, të cilat llogariten në 574 milionë euro. Fondet e mbetura do të sigurohen nga autoritetet kombëtare, rajonale dhe lokale, përmes partneriteteve publiko-private, si dhe nga bizneset dhe organizatat e shoqërisë civile.

Projekti në Maqedoninë e Veriut është pjesë e përpjekjeve për të harmonizuar objektivat e brendshme të klimës dhe energjisë me ato të BE-së deri në vitin 2030. Synimi i tij është krijimi i një sistemi shërbimesh për rinovimin e ndërtesave të banimit, duke u fokusuar në efiçencën e energjisë.

Në kuadër të fazës pilot do të subvencionohen renovimet e 200 shtëpive dhe banesave në Shkup, Kumanovë dhe Koçan, me qëllim të kursimit të energjisë dhe zvogëlimit të emetimit të gazrave të dëmshëm.

Për realizimin e projektit janë planifikuar afër 1.20 milionë euro nga BE-ja, nga gjithsej mbi 1.26 milionë euro që nevojiten, me afat 30 shtator 2027. Projekti koordinohet nga Shoqata për banim human “Habitat Macedonia” nga Shkupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat