Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka dërguar letër liderëve të rajonit dhe zyrtarëve evropianë e amerikanë, duke shprehur shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, të cilat rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë e stabilitetin në vend.
Sipas Ahmetit, tri vendimet e fundit- plani për shfuqizimin e Ligjit të Gjuhëve, ndalesa për identifikim të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i shumicës qeveritare- paraqesin kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit në tërësi.
“Këto tri goditje të mëdha ndaj themeleve të Marrëveshjes së Ohrit përbëjnë kërcënim serioz për paqen, stabilitetin, harmoninë ndëretnike dhe demokracinë multietnike në Maqedoninë e Veriut. Këto nuk janë thjesht çështje të brendshme politike, por kanë pasoja të rënda për rajonin dhe për stabilitetin e tij. Këto ndërhyrje kërcënojnë të zhdukin elementet kyçe të paqes dhe të barazisë, duke na kthyer në kushtet e para vitit 2001, që ishin shkaktarët e krizës dhe luftës së atij viti. Ju bëj thirrje për veprim të përbashkët dhe të vendosur për të mbrojtur arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e garantuara të shqiptarëve”, shkruan Ahmeti.
Letra e Ahmetit është nisur në adresë të kreut shtetëror në Shqipëri e Kosovë, Presidentes së KE-së, kancelarit gjerman, presidentit të Francës dhe sekretarit amerikan të Shtetit.