Ibrahimi: Qeveria nuk heziton që t’i bëjë këto ndryshime kushtetuese, por nevojiten garanca

Maqedonia

Ibrahimi: Qeveria nuk heziton që t’i bëjë këto ndryshime kushtetuese, por nevojiten garanca

Më: 29 tetor 2024 Në ora: 08:39
Zeqirija Ibrahimi

Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi thotë se ndryshimet kushtetuese do të bëhen, por po punohet që vendi të fitojë garanci që të mos kemi më bllokada gjatë procesit eurointegrues.

“Unë jam shumë optimist se ndryshimet kushtetuese do të bëhen dhe kjo Qeveri nuk heziton që t’i bëjë këto ndryshime kushtetuese”.

Ibrahimi në “ClickPlus” tha se si VLEN por edhe si Qeveri, përpiqen të bëjnë atë çfarë është në interes të shqiptarëve por edhe aleatëve ndërkombëtarë, por shtoi se punohet për të gjetur zgjidhje se pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, a mund të ketë raste të reja të bllokimit të rrugës eurointegruese të Maqedonisë së Veriut.

“Ne po përpiqemi ta bëjmë atë që është në interes të shqiptarëve, por nuk është vetëm i shqiptarëve por është interes edhe i aleatëve tanë perëndimorë. Nga informacionet që kam unë, dhe jam mirë i informuar për shkak të zotëri Murtezanit, ka disponim jashtëzakonisht të mirë që ato ndryshime të bëhen shumë shpejtë. Kjo shumë shpejtë mund të jetë çështje muaji e këtij viti ose fillim vitit tjetër. Dhe ajo që është kërkuar nga aleatët tanë në Samitin e Berlinit dhe në takimin e Von der Layen në Shkup, është se si të gjendet zgjidhja që pas miratimit të atyre ndryshimeve kushtetuese, të mos ketë më raste që mund të bllokohet më vendi në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ka disponim të mirë nga OBRM-PDUKM. OBRM-PDUKM nuk e ka çështjen se a duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese, për shkak se në çdo takim me aleatët tanë perëndimorë thuhet se nuk mund të vazhdohet asnjë hap tutje pa u bërë ndryshimet kushtetuese. Dhe çështja e OBRM-PDUKM-së në këtë rast është se “okej, i bëjmë sot ndryshimet kushtetuese cila është siguria që nuk do të kemi edhe të tjera?”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi ka komentuar letrat e fundit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti dërguar liderëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, ku mohon se ka prishje të marrëdhënieve ndëretnike dhe se vlerëson se letrat dalin nga frika e drejtësisë.

“Realisht nuk ka asnjë shenjë të prishjes së marrëdhënieve ndëretnike. Ajo është imagjinatë e zotëri Ahmetit për shkak se nuk është në pushtet dhe rrjedhimisht edhe frika nga drejtësia e zotëri Ahmetit, e familjes Ahmeti dhe eksponentëve të lartë të BDI-së”, tha Ibrahimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat