Gati një çerek shekulli pas nënshkrimit të saj, Marrëveshja e Ohrit po i sjellet përsëri në vëmendje faktorit ndërkombëtar. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, ka ngritur shqetësime se Maqedonia e Veriut mund të kthehet në periudha pasigurie me vendimet e ekzekutivit për të “ndryshuar apo për të rishikuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti u ka dërguar letër ndërkombëtarëve dhe udhëheqësve të Kosovës dhe Shqipërisë për “mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve”.
“Planet për shfuqizim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndalimi i identifikimit të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i një shumice qeverisëse pa përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike”, janë tri pikat që sipas Ahmetit rrezikojnë parimet e barazisë dhe stabilitetit në një shtet shumetnik.
Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.
Në Maqedoni të Veriut, rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, nga 2 rreth milionë banorë sa numëron shteti.
Prej tyre, 54 për qind janë maqedonas dhe pjesa tjetër përbëjnë komunitete të tjera pakicë.
Për Ligjin për gjuhët, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor të këtij viti.
Ditë më parë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski tha bëhet fjalë vetëm për disa dispozita.
Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi konsideron se Gjykata Kushtetuese po realizon programin zgjedhor të VMRO-DPMNE. Kjo e fundit udhëheq qeverinë e Maqedonisë së Veriut nga mesi i këtij viti ndërkaq në koalicion VLEN-in që përbëhet nga shqiptarët.
Ademi: Duam të ngremë alarmin tek garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit
“Ne e shohim të rrugës që të ngremë shkallën e alarmit tek liderët regjional, botërorë e nënshkrues, e garantues të marrëveshjes së Ohrit se edhe një vendim i tillë pritet të merret në muajin dhjetor, pritej gjatë muajit tetor por Gjykata Kushtetuese doli me qëndrimin e saj se nuk është momenti i përshtatshëm politik tani të vendosin. Paramendoni vlerësojnë edhe momentet politike se kur duhet të vendosin e kur nuk duhet”, shton ai.
Bilall Kasami i VLEN-it shkroi të hënën se “derisa Aliu dërgon letra lart e poshtë, ne po avancojmë çdo çështje shqiptare, të cilat partia e tij, i bllokoi dhe në emër të tyre i mashtronte shqiptarët”.
Tri javë më parë, Gjykata Kushtetuese mori vendim të shfuqizojë një mekanizëm që rregullonte përfaqësimin e komuniteteve etnike në administratën publike – Balancuesin.
Ademi: Ky aksion politik po bëhet për te ngritur shkallën e alarmit
“E gjithë kjo ndërmarrje politike, ky aksion politik po bëhet për të ngritur shkallën e alarmit në vigjilje të marrjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Përderisa në vitet e 90’ta majorizimi ka ndodhur në kuvend, parlament, ku shqiptarët janë mbi votuar, tani majorizimi post marrëveshjes së Ohrit po ndodhë në Gjykatën Kushtetuese, ku në linja etnike po ndahen gjyqtarët dhe shqiptarët dhe gjyqtari tjetër i komunitetit jo shumicë po mbivotohen nga gjashtë gjyqtarë nga gjithsejtë nëntë gjyqtarë sa ka Gjykata Kushtetuese, e të cilët janë të etnisë maqedonase. Një vendim të tillë të dëmshëm jo-kushtetues, paramendoni, në vend se Gjykata Kushtetuese të jetë gardiani kryesor i kushtetutshmërisë, ajo para dy jave solli një vendim jo-kushtetues duke eliminuar deklarimin e përkatësisë etnike”, deklaron ai.
Për këto, Ahmeti i BDI-së – përmes letrës - i ka njoftuar presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Sipas BDI-së, letra u është dërguar edhe presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, si dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar lidhur me këtë letër.
Njohësit e rrethanave politike konsiderojnë duhet të ketë reagim nga Prishtina dhe Tirana zyrtare.
Sipas tyre, zhvillimet e fundit në Maqedoni të Veriut rrezikojnë të arriturat e deritanishme të shqiptarëve.
Xhezairi: Hapat e qeverisë maqedonase janë sinjal për kthim prapa për arritjet e shqiptarëve
“Pas inaugurimit të qeverisë së re, ku bën pjesë edhe grupimi politik VLEN që gëzon mbështetjen e kryeministrit tuaj të Kosovës, Albin Kurti, ekzekutivi i ri ka ndërmarrë disa hapa që sikur vënë në pikëpyetje atë që është arritur deri tani dhe që rezulton të jetë si një sinjal për kthim prapa kur është fjala për atë që kanë mbërritur shqiptarët deri më tani dhe kur e them këtë, marr parasysh një vendim të Gjykatës Kushtetuese me të cilin u anulua një mekanizëm që mbante llogari për përfshirjen dhe përfaqësimin e jo-maqedonasve në administratën shtetërore dhe publike dhe kjo nuk është se është pritur mirë nga opozita shqiptare”, thotë në një deklarim për KosovaPress nga Shkupi, Seladin Xhezairi.
Ai konsideron se këto zhvillime do të prodhojnë tension në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.
Xhezairi: Reagime do të rrisin tensionet në skenën politike të vendit
“Këto reagime dhe dy letrat e zotëri Ahmeti kanë për të rritur tensionet edhe më shumë në skenën politike të vendit. Gjithmonë duke marrë parasysh se do të duhej të ketë edhe një reagim nga Tirana zyrtare, pse jo edhe nga Prishtina zyrtare. Për çka se pres që këto reagime të mos jenë të një vije për shkak të lidhjeve të kultivuara deri tani si nga Tirana zyrtare ashtu edhe nga Prishtina zyrtare. Këto lidhje në gjykimin tim nuk kanë pasur përputhje të njëjta ndaj dy grupimeve politike të shqiptarëve. Sidoqoftë duhet të presim dhe shohim se çfarë ka për ndodhur gjatë ditëve apo javëve në vazhdim”, shton ai.
Analisti nga Shqipëria, Ben Andoni thotë se shqiptarët në Maqedoni tani kanë nevojë për mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria.
Andoni: Reagimi i institucioneve në Shqipëri dhe Kosovë do të jetë i vakët
“Besoj që do të ketë reagime të paktën zyrtare, në kanale zyrtare të Shqipërisë dhe Kosovës por ju e dini që në këto përgjigje do të prevalojë ai fjalori i zakonshëm diplomatik që ‘ne nuk futemi në problemet e brendshme të një vendi’. Por ju duhet të keni parasysh që të respektoni pjesën e komunitetit shqiptar në Maqedoni të Veriut, që është një komunitet i madh. Por, në momentin ku gjendet Maqedonia e Veriut, kjo lloj përgjigje nuk bën ndonjë gjë të madhe. Shqiptarët në këtë moment duan një mbështetje shumë të madhe nga Shqipëria dhe Kosova, që do të thotë që edhe Shqipëria edhe Kosova duhet të kishin në kokë element ku t’i bënin presion Maqedonisë së Veriut...Reagimi do të jetë jashtëzakonisht i vakët dhe do të jetë thjesht për të larë gojën”, shprehet Andoni.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti i ka dërguar letër edhe kryeministrit Hrisitjan Mickoski.
Ky i fundit u tha të hënën mediave se nuk e ka parë letrën por sipas tij, letrës së Ahmetit “duhet t’i kushtohet rëndësi" si çdo letre që vjen nga qytetarët.
Ndër të tjera, në letër, Ahmeti ka thënë çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje Marrëveshjen e Ohrit është një hap që mund të përkeqësojë situatën në vend dhe rajon.
Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 2001 më ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe pas negociatave disa ditore intensive në Shkup.
Dokumenti që njihet si kontratë në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, i dha fund një konflikti të armatosur në Maqedoninë e atëhershme.